Historia e 12 vjeçarit që shpëtoi 3000 fëmijë nga skllavëria

History of Yesterday

Ikbal Masih është një hero 12-vjeçar për të cilin nuk flasin shumë njerëz, me sa duket sepse jo shumë njerëz i dinë arritjet e tij dhe sakrificat e tij. Ikbali lindi në vitin 1983 në një familje të varfër në Lahore të Pakistanit, ku jeta ishte shumë e vështirë për qytetarët e zakonshëm.

Shumica e njerëzve jetonin nën kufirin e varfërisë në një vend të prekur nga ngjarjet e fundit historike. Familjet ishin aq të varfra dhe të dëshpëruara, saqë po i linin fëmijët e tyre peng në fabrika. Fëmijëve do t’u duhej të punonin me orë intensive.

Në moshën katër vjeç, prindërit e tij e “shitën” te një person që zotëronte një fabrikë qilimash për të marrë 600 rupi (monedha e përdorur në Pakistan), përkatësisht  12 dollarë.

Ikbali u detyrua të punonte derisa prindërit e tij u kthyen për ta marrë përsëri. Ky është lloji i skllavërisë moderne që ende ndodh në vendet e botës së tretë. Nuk ishte vetëm Ikbali, por mijëra fëmijë që ishin të dënuar me të njëjtin fat. I lidhur në zinxhirë për të mos shpëtuar dhe i detyruar të punojë mbi 12 orë në ditë, shtatë ditë në javë.

Ai punoi për pesë vite derisa prindërit e tij arritën të mbledhin së bashku 12 dollarët që i detyroheshin pronarit të fabrikës, por me interes, borxhi shkoi deri në 200 dollarë, raporton abcnews.al.

Ikbali mbeti i mbërthyer në fabrikë ashtu si fati i shumë fëmijëve të tjerë që e punuan gjithë fëmijërinë e tyre të lidhur me zinxhirë. Kushtet e jetesës/punës në këto fabrika nuk ishin aspak të mira. Fëmijët e skllavëruar mezi po merrnin mjaftueshëm ushqim dhe ujë dhe nëse një fëmijë ishte i sëmurë ose i paaftë për të punuar, ata do të rriheshin brutalisht.

Sipas tij, nëse një fëmijë nuk dëshiron të punojë, ai do të mbyllet në një dollap të vogël për një ditë. Ikbali, si dhe fëmijët e tjerë, vazhduan të punonin edhe kur qeveria e Pakistanit e bëri të paligjshme punën e fëmijëve në vitin 1986.

Korrupsioni brenda Pakistanit ishte në kulmin e të gjitha kohërave dhe askush nuk mund të bënte asgjë për fatin e këtyre fëmijëve, jo se shumë njerëz dukej se u interesuan, veçanërisht prindërit që do t’i “shisnin” fëmijët e tyre.

Arratisja e madhe

Në moshën 10-vjeçare, Ikbali i lodhur me jetën që bënte, duke u rrahur çdo ditë dhe duke punuar deri në rraskapitje, planifikoi një arratisje, jo vetëm për veten e tij, por për çdo fëmijë brenda asaj fabrike. Ai e dinte se nëse arratisja do të dështonte, jeta e tij do të ishte në rrezik.

Gjatë një dite pune, Ikbali dhe disa fëmijë të tjerë arritën të arratiseshin në stacionin më të afërt të policisë, por policët ishin aq të korruptuar sa që në vend që t’i ndihmonin fëmijët, ata i çuan fëmijët përsëri në fabrikë, duke u paguar për “xhestin e mirë”.

Në moshën 12-vjeçare, Ikbali filloi të mendojë për një mënyrë tjetër për t’i shpëtuar asaj jete mizore. Këtë herë ai kishte bërë disa kërkime dhe në vend që të shkonte në një stacion policie, ai shkoi në një OJQ lokale e cila po luftonte kundër skllavërisë së fëmijëve dhe punës së fëmijëve të quajtur Fronti i Lidhur i Çlirimit të Punës (BLLF).

OJQ-ja mori të gjitha dokumentet e nevojshme për të liruar të gjithë fëmijët që punonin në fabrikën e tij. Pa përpjekjen dhe sakrificën e Ikbalit, ata fëmijë nuk do të shpëtonin kurrë.

Një qëllim në jetë

Që nga çlirimi i tij, ai kishte vetëm një dëshirë dhe ajo ishte të lironte të gjithë fëmijët e tjerë që ishin të  detyruar të punonin brenda Pakistanit. Me ndihmën e BLLF, ai arriti të fitonte mbështetjen e Kombeve të Bashkuara.

Ikbali filloi të punonte me OJQ të ndryshme në mbarë botën dhe madje të edukonte fëmijë që ishin më të mëdhenj se ai për skllavërinë e fëmijëve dhe jetën brenda një vendi të botës së tretë si Pakistani.

Ikbali u bë aq i popullarizuar sa u ftua në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera europiane në vitin 1994. Historia dhe arritjet e tij e çuan atë të fitonte çmimin Reebok për të drejtat e njeriut  (50,000 dollarë) në të njëjtin vit.

Ikbali donte t’i tregonte gjithë botës historinë e jetës së tij, në mënyrë që asnjë fëmijë tjetër të mos duronte atë që kishte kaluar.

Ikbali u vra në moshën 12 vjeçare

Sa më shumë vëmendje po merrte Ikbali, aq më shumë fabrika në Pakistan po mbylleshin për t’i dhënë fund punës dhe skllavërisë së fëmijëve. Kjo e bëri Ikbalin një objektiv për të gjithë pronarët e fabrikave brenda Pakistanit, pasi shumica e tyre përdornin punën e fëmijëve.

Më 16 prill 1995, Ikbali u kthye në Pakistan për të parë familjen e tij. Të njëjtën ditë ai u qëllua në kokë në Muridke, Pakistan. Vrasësi i tij ishte Mohammed Ashraf, pronar i një fabrike në Pakistan që humbi pjesën më të madhe të punës së saj për shkak të fushatës së Ikbalit.

Gjatë fushatës së tij, Ikbali arriti të shpëtojë mbi 3000 fëmijë që ishin në të njëjtat rrethana si ai një vit më parë. Në fytyrën e tij mund të shihet se sa krenar ishte që luftoi për atë që kishte tentuar me vite të tëra. Gjatë fillimit të shekullit të 21-të, Ikbali u bë simboli i luftës kundër skllavërisë dhe luftës së vazhdueshme për të drejtat e njeriut brenda vendeve të botës së tretë, diçka që edhe sot e kësaj dite shumë njerëz në këtë tokë nuk e kanë.

Në vitin 2006, autori Andrew Crofts botoi një libër të titulluar “Heroi i vogël: Lufta e një djali për liri – Historia e Iqbal Masih-it” në të cilin ai tregon një perspektivë shumë të detajuar se sa e mjerueshme ishte jeta e tij si skllav.

Guximi që tregoi gjatë fëmijërisë dhe jetës së tij ishte frymëzues për njerëzit në mbarë botën dhe arsyeja pse nuk duhet të kemi frikë të luftojmë për atë që është e drejtë si dhe për lirinë e të tjerëve, raporton abcnews.al.

Që nga vdekja e tij, lufta kundër punës së fëmijëve vazhdon ende, jo vetëm brenda Pakistanit, por në të gjithë botën. Në vitin 2014 fitues i çmimit Nobel Kailash Satyarth Çmimin Nobel ia kushtoi Ikbalit për gjithçka që kishte arritur në jetën e tij të shkurtër.

Sipas hulumtimit të bërë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2020 ka ende 152 milionë fëmijë që janë të detyruar të punojnë në  punë të rënda dhe m rreziqe.

Ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin për këtë problem madhor që vazhdon prej vitesh tashmë.

/albeu.com


Shtuar 5.12.2022 11:36