Emirjon Senja: Qytetarët e Kosovës u diskriminuan nga Jugosllavia vetëm pse ishin shqiptarë, por nuk i asimiluan dot

Drejtuesi i Abcnews.al, Emirjon Senja, i ftuar në studion e “Ballkan” në Abc të gazetares Linda Karadaku, theksoi se sot shteti dhe kombi janë dy gjëra krejtësisht të ndara.

Sipas Senjës kosovarët janë shtypur dhe keqtrajtuar nga Jugosllavët vetëm pse ata ishin shqiptarë.

Sipas tij nëse serbët do të mendonin se qytetaret e Kosovës janë kosovarë do t’i kishin asimiluar me kohë.

Pjesë nga biseda:

Karadaku: A duhet sqaruar qartë se shteti dhe kombi janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme?

Senja: Kjo është qartësisht e sqaruar. Ne rikthehemi në diskutimin kombi kosovar, është një diskutim që unë e shoh që është ngjizuar edhe para se në Kosovë të fillonin lëvizjet për vetëdijësimin. Shqiptarët janë diskriminuar në Jugosllavi jo se ishin kosovarë, por se ishin shqiptarë. Nëse do të diskriminoheshin si kosovarë ata do ishin asimiluar. Në momentin që nuk arritën ti asimilonin u hoq termi kosovar dhe u përdor termi myslimanë. Qëllimi ishte asimilimi. Vazhdimisht shqiptarët janë sulmuar dhe janë tentuar të asimilohen se ata janë shqiptarë. Diskutimi sot janë çështjet që kanë lidhje me sigurinë e Kosovës. Ne kemi sot një president që për dy gisht teneqe është i gatshëm të dërgojë tanket në kufi, është një president me një gjuhë aspak diplomatike duke i thënë homologut të tij terrorist. Ky është diskutimi që duhet bërë sot në Kosovë. Unë besoj se nëse Kosova zhvillohet ekonomikisht, Kosova në 2008-n shpalli pavarësinë, sa shumë kemi komunikuar ne me Kosovë, duke komunikuar më shpesh i kemi sheshuar dallimet. Këngëtarët e Kosovës janë shumë të pëlqyer në Shqipëri, kemi këngëtarë nga Shqipëria që i bëjnë këngët në gjuhën që bëjnë këngëtarët e Kosovës, e bëjnë se ne e kemi përqafuar atë gjë. Me kalimin e dekadave shqiptarët e Kosovës do marrin nga ne, dhe ne do marrim nga ata dhe do kemi një sheshim të plotë.


Shtuar 2.12.2022 18:25