Histori e pazakontë dashurie në Devoll, babai nuk lejon vajzën të bashkohet me djalin dhe burrin

“Piranjat” në Abc të moderuar nga Arilena Ara dhe Florjan Binaj, kanë sjellë mbrëmjen e së dielës një histori krejt të pazakontë, ku prindërit janë kundër dashurisë së vajzës së tyre.

Ngjarja zhvillohet në fshatin Ponçar të Devollit, ku dy të rinj të cilët janë të verbër ranë në dashuri me njëri-tjetrin në klasën ku ata merrnin mësim.

Dionisi dhe Geralda të dy vuajnë nga sëmundja e verbërisë, u njohën dhe u dashuruan me njëri-tjetrin pikërisht në klasën ku ata të dy merrnin mësime për personat me aftësi të kufizuara.

Hapin e parë drejtë kësaj dashurie të madhe e merr Geralda e cila i kërkon dashurisë së jetës Dionisit që të shkojë e ta “rrëmbejë” në banesën e saj, pasi ishte e bindur që prindërit nuk do ta kuptonin e aq më tepër ta lejonin që ajo të kurorëzonte dashurinë e madhe që ndiente për ish-shokun e klasës.

Dhe ishte pikërisht bashkimi i Dionisit me Geraldën, e cila do të sillte trazira, tërmete dhe drama në jetën e tyre.

Prindërit e Geraldës të xhindosur nga ikja e vajzës së tyre nga shtëpia, pasi sipas tyre ajo nuk mund ta lidhte jetën me një tjetër person të prekur nga verbëria bënë të pamundur t’i ndanin, por dashuria mes tyre ishte aq e madhe, sa misioni i tyre fillimisht dështoi.

Geralda dhe Dionisi u bekuan në jetën e tyre me një djalë, i cili fatkeqësisht ishte i prekur nga i njëjti fenomen që vuanin prindërit e tij.

Por edhe pse tashmë të tre kishin një problem, shikimin, dashuria e Geraldës, Dionisit dhe djalit të tyre ishte aq e madhe sa për të shikimin ishte gjëja e fundit që mund të shkatërronte lumturinë e tyre.

Por problemet e vërteta nisin pas 3 vitesh kur Geralda ngel shtatzënë për herë të dytë, por kjo shtazani nuk shkon mirë dhe ajo e dështon fëmijën.

Duke përfituar nga kjo situatë prindërit e Geraldës arrijnë të marrin vajzën dhe nipin e tyre sërish në banesë.

Ndërkohë që vetë Geralda nga ana tjetër i shkruante vazhdimisht Dionisit për tu bashkuar sërish, prindërit e saj tashmë kishin ndërtuar “burgun” brenda banesës, duke mos lejuar askënd që tu afrohej.

Edhe pse Dionisi kishte lajmëruar policinë, dhe pavarësisht përpjekjeve të këtyre të fundit dhe punonjësve socialë, Geralda dhe djali i saj nuk arritën të bashkoheshin me Dionisin.

Por gjithmonë ka një shpresë, dhe këtë herë shpresa më e madhe e Dionistit për të ribashkuar familjen ishin “Piranjat”.

Pas agjentët e “Piranjave” dëgjuan historinë e madhe të dashurisë, ku hera herës drama triumfon mbi lumturinë, vendosën që të bëjnë gjithçka që kjo familje të ribashkohej për të vijuar e qetë drejt lumturisë.

Pavarësisht të gjitha skenarëve të menduar, situata ishte krejt tjetër kur “Piranjat” sëbashku me Dionisin dhe nënë e tij shkuan në shtëpinë e babait të Geraldës.

Ai i priti me “këmbët e para” ku veç kërcënimeve ndaj Dionisit dhe nënës së tij, iu hakërrye edhe gazetares së “Piranjave”, madje kërcënoi dhe dhunoi edhe vajzën e tij Geralda.

Me gjithë këmbënguljen e Dionisit, gazetares së “Piranjave” nga njëra anë dhe vetë Geraldës nga ana tjetër, ishte e pamundur të bindje babain e saj.

Në momentin kur u duk sikur situata po qetësohej dha babai i Geraldës po fliste për gazetaren e “Piranjave”, Dionisi arrin të “bashkojë” momentalisht familjen, pasi Geralda merr djalin dhe del në rrugë.

Pikërisht në këtë moment situata agravon dhe del jashtë kontrollit, babai i Geraldës vrapon në rrugë dhe atij i bashkohet edhe bashkëshortja dhe djali, të cilët tërheqin me dhunë vajzën dhe nipin e tyre duke i mbyllur sërish në banesë.

Duke parë situatën gazetarja e “Piranjave” telefonon policinë duke kërkuar ndihmë. Pas mbërritjes së uniformave blu situata merr një tjetër rrjedhë, pasi e gjithë familja shoqërohet në komisariat.

Por ajo që është më e rëndësishme është fundi, i lumtur nga njëra anë dhe dramatik në krahun tjetër.

Pasi pas daljes nga komisariati Dionisi, Geralda dhe djali i tyre më në fund bashkohen, por me një plagë në zemër për Geraldën, pasi edhe këtë herë prindërit e saj nuk e pranuar këtë lidhje dashurie./abcnews.al


Shtuar 2.10.2022 22:03