Një rrjet kriminal i shpërndarjes së drogës është zbuluar në Itali. Policia, pranë zonës së Astit ka ndaluar veprimtarinë e një rrjeti kriminal të shpërndarjes së drogës që drejtohej nga dy vëllezër shqiptarë.
Prokuroria vendosi për anëtarët e grupit 4 arreste me burg, ndaj katër shtetasve shqiptarë të moshave 20 deri në 36 vjeç, ndërsa 8 persona të tjerë iu nënshtruan masës së sigurimit me detyrim paraqitje.
Gjatë hetimeve u gjetën 1.2 kg kokainë e pastër, teksa mendohet se mund të merreshin mbi 21,000 doza kokaine nga kjo sasi, të cilën për ta fshehur e groposnin nëntokë në kavanoza. Hetimet e policisë kanë zgjatur rreth 2 vite dhe nisën si pasojë e disa raportimeve të marra për trafikim të vazhdueshëm të lëndëve narkotike pranë zonës së Astit në Itali.
Pas hetimeve u zbulua se dy vëllezërit, 35 dhe 36 vjeç, bashkëshortet e tyre dhe dy kunetër të gjithë më kombësi shqiptare i ishin përkushtuar veprimtarisë së fshehjes dhe furnizimit me kokainë. Të ardhurat nga shitja u jepeshin më pas dy vëllezërve, të cilët drejtonin efektivisht grupin kriminal. Njëri prej këtyre vëllezërve mundi të menaxhonte gjithçka edhe nga burgu i Cuneos, ku ishte fillimisht dhe më pas nga shtëpia, ku i ishte nënshtruar arrestit shtëpiak.