Këngëtari beratas Kozma Dushi lindi në lagjen Mangalem, Berat, më 23 gusht 1955 dhe sot feston ditëlindjen e 67. Populli ka një shprehje: “Dardha bie nën dardhë”. Ishte trashëgimia që nga gjysh Vasili, që i këndonte këngët popullore me shumë dashuri, që nxori nga kjo familje, pas Dhimitrit, si vazhdues i kësaj tradite, edhe Kozmain. Vëllai i tij, Dhimitri, do të luante një rol të madh në futjen e Kozmait në rrugën e bukur të këngës.
Dëshira për të kënduar Kozmait i lindi që në moshë të vogël. Ai, duke ecur me shokët në rrugët e kalldrëmta të Mangalemit, shpesh ia merrte këngës. Kjo dëshirë i lindte edhe në gjumë. Këtë e kishte vënë re e ëma, Andromaqi, e cila ngrihej dhe e mbulonte, kur e shihte të zbulohej. Në fillim u shqetësua, por më vonë e kuptoi se i biri ishte shumë i dhënë pas këngës.
Më 1964, kur ishte 10 vjeç, mësuesi i muzikës zbuloi te Kozmai talentin e tij. I krijoi mundësi që të aktivizohej me fëmijët në Shtëpinë e Pionierit. Ky ishte hapi i parë i tij drejt këngës.
Kozmai këtu u lidh akoma më shumë me këngën. Këndoi me raste festash dhe në festivalet e fëmijëve. Për herë të parë në skenë del me këngën e Luan Sadushit, “Çekiçi dhe dalta”. Përfundoi shkollën e mesme “Kristo Isak”. Më pas, nga vitet 1970-1973, u aktivizua në estradën e Beratit. Pas këtyre viteve, shkoi ushtar. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, u aktivizua me grupet artistike si këngëtar.
Më 1980 konkurroi për kanto dhe u pranua në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë.
Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, më 1985, emërohet në Estradën e Shtetit. Këtu për të filloi një jetë e re artistike. Tani i duhej të bënte më shumë punë, pasi ndodhej midis këngëtarëve shumë të njohur dhe me shumë përvojë, si: Luan Zhegu, Ema Qazimi, Liliana Kondakçi, Irma Libohova, etj. Ai gjeti midis tyre ngrohtësi dhe fitoi dashurinë e tyre. Ndërkohë, ai kishte bërë emër si këngëtar që nga festivali i 14-të.Kozmai është pjesëmarrës i më shumë se 30 Festivaleve të Këngës në RTSH. Sukseset e arritura në këto festivale ia njeh për meritë dirigjentit të madh, Artistit të Merituar, Ferdinand Deda, si dhe kompozitorëve Alfons Balliçi, Agim Prodani, Flamur Shehu, Kujtim Laro, Luan Zhegu, Aleksandër Peçi dhe autorëve të teksteve të bukura, hartuar nga Jorgo Papingji, Alfred Duka, etj.
Në Estradën e Shtetit punoi më se 20 vjet. Ai nuk harron dirigjentin Alqi Kareco. Gjithmonë ndjente dhe ndjen kënaqësi kur këndon përpara publikut. Për veprimtarinë e gjatë artistike gjithë artdashësit anembanë vendit dhe në veçanti ata beratas, e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë me shumë mirënjohje.