Zyrtari I.M në dosjet e ish-Sigurimit, depozitohen në Kuvend nismat për ndryshimin e ligjit

Partia Socialiste ka depozituar sot në Kuvend nismat ligjore për ndryshime të Ligjit për të drejtën e informimit rreth dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Lajmin e bëri të ditur kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, pas letrës që Autoriteti i Dosjeve i dërgoi Kuvendit më 26 korrik lidhur me pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar në detyra të larta shtetërore.

Në një deklaratë për mediat, Bushka u shpreh se transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen “me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.”

Dy nismat ligjore të PS, siç njoftoi kryetarja e Komisionit të Ligjeve, konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.

DEKLARTA

Nisur nga shkresa e Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më date 26.07.2022 lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur të depozitojë sot pranë Kuvendit nismat ligjore për ndryshime të Ligjit funksional nr 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialistë të Shqipërisë” të ndryshuar si dhe të Ligjit nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar .

Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.

Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.

Dy nismat tona ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie nën dritën e fakteve dhe të vërtetës si dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre.

Të nderuar qytetarë,

Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike.

Pasi siç shkruante shkrimtari i mirënjohur Italian, Primo Levi, i mbijetuar i kampit famëkeq të Auschëitz:

“Ndodhi, prandaj mund të ndodhë përsëri: ky është thelbi i asaj që duhet të themi. Mund të ndodhë, dhe mund të ndodhë kudo.”

Pikërisht për t’u sigururuar që historia të mos përsëritet dhe arritjen e paqes sociale duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai,” tha Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.