Teksa lufta në Ukrainë po bëhet gjithnjë e më agresive dhe BE është në “ditën më të keqe” të saj, me një krizë energjitike që pritet ta godasë rëndë dhe me një Rusi që e ka vënë në shënjeshtër për ta shpërbërë, ajo nuk duron dot t’u shkelen të drejtat e homoseksualëve.
Komisioni Europian vendosi të referojë Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së për shkeljen e të drejtave LGBTI, duke vazhduar mosmarrëveshjen me qeverinë e Viktor Orban për këtë çështje specifike.
Çështja filloi kur qeveria e Orbanit prezantoi një projekt-ligj që promovon ose portretizon të ashtuquajturën “divergjencë nga identiteti i vetvetes që korrespondon me seksin në lindje, ndryshimin e gjinisë ose homoseksualitetin” për njerëzit nën 18 vjeç.
Sipas Komisionit, legjislacioni në fjalë shkel rregullat e tregut të brendshëm, të drejtat themelore të individëve (në veçanti LGBTQI), si dhe vlerat e BE-së.
Referimi në gjykatën evropiane është hapi tjetër në procedurën e shkeljes së nisur nga Komisioni në korrik 2021. Sipas Komisionit, autoritetet hungareze nuk iu përgjigjën në mënyrë adekuate shqetësimeve të saj për barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore dhe nuk përfshinin asnjë angazhim për të hequr papajtueshmërinë. Prandaj, Komisioni i dërgoi një opinion të arsyetuar Hungarisë në dhjetor 2021.
“Mbrojtja e fëmijëve është një prioritet absolut për BE-në dhe shtetet anëtare të saj. Megjithatë, ligji hungarez përmban dispozita që nuk justifikohen nga promovimi i këtij interesi themelor ose që janë në disproporcion me arritjen e qëllimit të synuar”, thekson Komisioni.
Nga ana tjetër Rusia promovon “traditën” duke akuzuar BE se po imponon axhendat e homoseksualëve në vendet anëtare.