Një i mitur ka rënë nga një lartësi prej tre metrash teksa ndodhej në ambientet e një pishine në Burrel. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur një ditë më parë, por është raportuar sot nga policia.
Në njoftim thuhet se është vënë nën hetim D. Gj., banues në Burrel, administrator i pishinës. pasi dyshohet nuk ka respektuar rregullat e mbrojtjes. Gjithashtu, në të njëjtin njoftim, policia informon për rrëzimin në mënyrë aksidentale të një të riu me kalë.
Një 77-vjeçare është rrëzuar gjithashtu aksidentalisht dhe ka humbur jetën. Kurse një 36-vjeçar është vënë në pranga pasi ka dhunuar fqinjin e tij.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori për shtetasit:
-A. S., 36 vjeç, banues në Dibër, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta, shtetasin H. M., 56 vjeç;
-Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori për shtetasin D. Gj., banues në Burrel, administrator i një aktiviteti privat (pishinë), pasi dyshohet nuk ka respektuar rregullat e mbrojtjes në punë dhe për pasojë një i mitur është rrezuar nga një lartësi 3 metra. I mituri po merr aktualisht asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
U referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për “Ngjarje aksidentale”, për rastet në vijim:
-Shtetasja N. Z., 77 vjeçe, banuese në Bulqizë, duke ecur në këmbë, në një terren malor, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar dhe ka rënë në anë të rrugës. Si pasojë, 77-vjeçarja ka humbur jetën.
-Shtetasi E. C., 31 vjeç, banues në Shupenzë, duke udhëtuar me kalë, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar duke pësuar dëmtime në trup. Ky shtetas ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.