Plazh në kohë lufte, banorët e Kievit nuk heqin dorë nga pushimet

“Do të përpiqemi të relaksohemi sa më shumë që të jetë e mundur”, teksa në lindje të Ukrainës luftohet egërsisht me pushtuesit rusë, shumë banorë të Kievit tentojnë t`i rikthehen normalitetit, duke përfshirë këtu edhe pushimet verore.

Kjo periudhë e vitit, e gjente zakonisht Ivan Sukhanov dhe familjen e tij në brigjet e Detit të Zi. Këtë vit, nuk do të shkojnë më larg se brigjet e lumit Dnjepër, por pa pushime nuk do të mbeten.

“Këtë vit, kishim planifikuar të shkonim në Detin e Zi e më pas, të kalonim edhe ca ditë jashtë kufijve, në Turqi ose Egjipt, të bënim diçka interesante në mënyrë që djali ynë të shihte piramidat e Egjiptit, të prekte nga afër një kulturë tjetër. Këto ishin planet, por nuk dolën ashtu siç e mendonim. Tani do të qëndrojmë këtu në Kiev, e në rrethinat e tij. Në liqene, parqe. Në pyje nuk shkojmë shumë se nuk ka siguri. Por duam të qetësohemi sa më shumë që të mundemi”, tha Ivan Sukhanov, inxhinier nga Kievi.

“Zakonisht, në verë shkonim në Krime, sepse ne nga Krimea jemi. Por tani edhe ajo rrugë është bërë mjaft e vështirë që prej aneksimit të Rusisë; na e morën dhe nuk shkojmë dot më për pushime”, tha Vera Sapyga, refugjate nga Krimea.

Në kryeqytetin ukrainas, ka mjaft plazhe me rërë, që zakonisht janë të tejmbushur me njerëz në muajt e nxehtë të verës.

Por në fundjavën e parë të korrikut, pavarësisht temperaturave të larta, ato nuk gëlonin më si dikur, teksa pavarësisht dëshirës për normalitet, frika e luftës është gjithmonë e pranishme në jetët e banoreve, edhe pse sirenat e alarmit nuk gjëmojnë më në Kiev./tch