Paria Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka përshëndetur parlamentin bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Deputeti Luçiano Boçi në një deklaratë për shtyp nga selia blu tha se ky është një hap i parë kyç në zhbllokimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, ai theksoi se nuk është vetoja shkaku i ngecjes së Shqipërisë. Boçu renditi katër arsye.
Deklarata e plotë:
Në emër të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar, përshëndes parlamentin bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.
Ky është një hap i parë kyç në zhbllokimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut në Bashkimin Europian.
Ritheksojmë faljen, që i kërkoi sot Kryetari i Partisë Demokratike kombit bullgar, për gjuhën prej fyesi serial të kryeministrit Rama.
Duke shtuar këtu se, heqja e vetos do ta rifusë procesin e integrimit në shinat e vërteta, ato të meritokracisë.
Partia Demokratike beson se nuk është vetoja bullgare arsyeja e moshapjes së negociatave, por një radhë shkaqesh të tjera:
Ndër to:
-Shpopullimi masiv i vendit, që ka derdhur në dyert e Europës më shumë shqiptarë se sa banorë të zonave të luftës në Afrikë dhe Lindje të Mesme;
-Korrupsioni me shokët ministra dhe shokët e ministrave, një pjesë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar;
-Përfshirja në vjedhje të pasurive publike, në trafik droge, dhe dhënia e statusit të investitorit strategjik të familjarëve të ministrave.
-Njolla e zgjedhjeve të manipuluara, që e kemi parë në kaq shumë përgjime e raporte.
-Kur thotë se Europa është më e sëmurë se Putini, ne i kujtojmë zotërisë në fjalë se Shqipëria, nën keqqeverisjen
e tij, është kthyer në të ‘sëmurën e Europës’./albeu.com