Po transportonin 42 kilogramë drejt Greqisë, vihen në pranga dy persona në Korçë

Finalizohet faza e nëntë e operacionit policor të koduar “Restart”. Tentuan të trafikonin drejt Greqisë, 42 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, vihen në pranga 2 shtetas.

Shkon në​ 22 numri i të ndaluarve, në 535.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë dhe shërbimet e Frontex-it, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit policor “Restart”, nisur shtatë muaj më parë kanë finalizuar me sukses fazën e​ nëntë të tij, si rezultat i së cilës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– L. H., 41 vjeç, banues në Elbasan.
– Z. S., 65 vjeç, banues në fshatin Miras, Devoll.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me shërbimet e Frontex-it, kanë konstatuar dy shtetasit e mësipërm në afërsi të fshatit Dobranj, Devoll dhe ju kanë bërë me shenjë të ndalonin. Këta shtetas, porsa kanë parë shërbimet e Policisë në drejtim të tyre, kanë tentuar të largohen me vrap dhe kanë hedhur në tokë tre çanta të zeza. Forcat e Policisë Kufitare dhe ato të Frontex-it, janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur kapjen e ndalimin e tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në brendësi të çantave të tyre, u gjet një sasi prej 42 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë./albeu.com


Shtuar 19.06.2022 15:21