Të paktën 90 ish-gjimnastë amerikanë dhe aktualë, të cilët ishin viktima të abuzimit të mjekut sportiv Larry Nassar, kanë kërkuar më shumë se një miliard dollarë kompensim nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
Një firmë ligjore në Kaliforni që përfaqëson viktimat e abuzimit tha se kampionët olimpikë Simone Biles, Aly Raisman dhe McKayla Maroney ishin midis 90 aplikantëve.
“Është koha që FBI të mbajë përgjegjësi”, tha ish-kampionia amerikane e gjimnastikës Maggie Nichols, raporton ABC News.
Sipas ligjit federal të SHBA-së, FBI ka gjashtë muaj për t’iu përgjigjur një padie. Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi në maj se nuk do të ngrejë akuza penale kundër ish-agjentëve të FBI-së, të cilët nuk hapën shpejt një hetim kundër Nassar.
“Nëse FBI-ja do të kishte bërë punën e saj, Nassar do të ishte ndaluar para se t’i jepej mundësia të abuzonte me qindra vajza, përfshirë mua”, tha ish-gjimnastja Samantha Roy.
Mediat amerikane kujtojnë se në vitin 2015, tre gjimnastë informuan agjentët lokalë të FBI-së se ishin sulmuar nga mjeku i ekipit Nassar. Megjithatë, FBI nuk hapi një hetim zyrtar apo informoi autoritetet shtetërore dhe federale në Michigan.
Nassar u arrestua në vitin 2016 gjatë një hetimi policor të Universitetit të Miçiganit. Ai pranoi se kishte abuzuar me gjimnastët amerikanë për vite me radhë dhe u dënua në vitin 2018 me 40 deri në 175 vjet burg.