Xavi e pranon: Lewandowski mund të vijë, po negociojmë

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka folur për herë të parë për Robert Lewandowskin, i cili është kthyer në objektivin kryesor të klubit.

Në konferencën për media përpara ndeshjes së fundit të këtij sezoni të La Ligas, atë kundër Villarreal, Xavi e ka thënë publikisht se Barça ka nisur negociatat për transferimin e polakut.

Ai e nënvizoi se kjo gjë ka për të qenë e vështirë për shkak të kontratës që sulmuesi ka me klubin e Bayern Munich.

“Po, ekziston një mundësi që ai të vijë këtu. Lewandowski e tha vetë publikisht. Ka negociata, po nuk do të jetë e lehtë. Ai ka edhe një vit tjetër në kontratë me Bayernin”, ka thënë Xavi.

Tutje ish mesfushori i njohur ka thënë se Barcelona nuk ka bërë oferta për Kylian Mbappen dhe Erling Haalandin, duke e parë krizën që klubi e ka me të ardhurat.

Lewandowski në anën tjetër ka shënuar 35 gola dhe ka dhënë 4 asistime në 34 ndeshje.

Ai ka kontratë deri në verën e 2023 me kampionët e Gjermanisë, megjithatë sulmuesi e ka thënë hapur që dëshiron largimin që në këtë verë.


Shtuar 21.05.2022 16:59