SHÇBA ka nisur hetimet për shefin e komisariatit të Divjakës, Altin Shehu pas denoncimit për dhunë të ushtruar ndaj një aktivisteje demokrate.
Ka qenë pikërisht aktivistja e PD-së, Elsa Bita e cila denoncoi dhunën e ushtruar nga shefi i komisariatit të Divjakës i cili i kishte thyer krahun pasi kishte filmuar shkeljen e heshtjes zgjedhore nga administrata publike e Divjakës.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot paradite në Divjakë, ku një shtetase pretendon se është dhunuar nga drejtuesi lokal i Policisë, sqarojmë se: Nën drejtimin e Prokurorisë, SHÇBA po kryen veprime hetimore mbi gjithë rrethanat. Ndërkohë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Në fund të gjithë veprimeve hetimore administrative dhe verifikimeve të tjera nën drejtimin e Prokurorisë, do të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra mbi rastin. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike”, thuhet në njoftim.
Deklarata e Bitës pas ngjarjes së rëndë:
Thjesht po filmoja ka zbarkuar administrata këtu thash dhe isha drejtpërdrejtë në ‘Facebook’, njoftohet, nuk e di kush e njoftoi dhe vjen një makinë me 4 veta që zbresin. Shefi i Komisariatit vetë më tha pse filmon dhe më mori telefonin, donte ta thyente dhe më ka kapur mua nuk e di ca më ka bërë dhe më ka përplasur dhe shukur, vetëm ai ishte dhe të tjerët nuk po i bindeshin dhe ai u çua vetë pastaj.
Nuk e di çpati. Altin quhet ka një muaj që ka ardhur në Divjakë. Vajzat e tjera pak më tutje pash që i morën telefonin dhe e mori një grup e futën brenda nuk e di shanë apo e goditën. Rrugës varrezave po filmonim, përballë lokalit të Dine Aliajt. Ishte PS-ja te lokali, gjithë administrate domethënë.”, u shpreh Elsa Bita