Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar lidhur me deklaratën e kandidatit për deputet Xhelal Mziut. Ambasadorja shprehet se dhuna e shkaktuar Elbasanit këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet
Kujtojmë se në fjalën e tij, në përmbyllje të fushatës elektorale në Dibër, kandidati për deputet i PD-së i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që çdo person të dyshimtë ta raportojnë te grupet e posaçme që PD ka ngritur për mbrojtjen e votës dhe do ta pësojnë njëlloj si ai në Elbasan.
Ndërkohë sot me anë të një deklarate publike, Mziu thotë se kërkon ndjesë me “sinqeritetin më të madh, duke shprehur keqardhjen dhe pendesën për komentin në emocione të forta të momentit…”
Deklarata e Mziut
Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit.
Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!
Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve.
Reagimi i Yuri Kim
Yuri Kim:
Më vjen mirë për ndjesën e qartë që pashë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar Elbasanit këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – e kaluara e shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë.