SHBA/ I dënuari me vdekje zgjedh të ekzekutohet me pushkatim

Richard Bernard Moore, i dënuar me vdekje në 2001-shin për vrasje dhe krime të tjera të kryera në vitin 1999 në Karolinën e Jugut, 57 vjeçari zgjodhi se si do të vdesë, 14 ditë para ekzekutimit që do të jetë në 29 prill.

Mes pushkatimit dhe karriges elektrike, Richard Bernard Moore ka zgjedhur të pushkatohet

Sipas Washington Post  nëse kjo ndodh, do të jetë pushkatimi i parë në historinë e shtetit amerikan.

Avokatët e tij kanë apeluar vendimin në gjykatën e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke i konsideruar pushkatimin dhe karrigen elektrike, jo kushtetuese. Ata gjithashtu kërkojnë një riformulim të dënimit për klientin e tyre, pasi dënimi me vdekje sipas tyre është i ekzagjeruar.

Zakonisht shtetet amerikane që lejojnë dënimet me vdekje, i kryejnë ekzekutimet me injeksione vdekjeprurëse. Por në vitet e fundit është bërë gjithnjë e më e vëshirë që të gjenden helmet e duhura për këtë praktikë.

Kjo pasi shumë kompani farmaceutike dhe shumë vende në botë kanë ndaluar eksportimin e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi janë kundër dënimit me vdekje. Deri tani të dënuarit duke pasur mundësi të zgjidhnin mes injektimit të helmeve dhe karriges elektrike, zgjidhnin të parën duke ndaluar ekzekutimin sepse mungonin helmet e duhura.

Për të zgjidhur këtë problem, në maj të 2021-shit Karolina e Jugut miratoi pushkatimin si mënyrë ekzekutimi duke u bërë shteti i katërt amerikan që e aplikon. Pushkatimi parashikon që të jenë tre personat që qëllojnë nga një vrimë në mur përballë të dënuarit me kapuc në kokë dhe i lidhur në karrige./albeu.com


Shtuar 18.04.2022 15:15