Mbrëmjen e sotme, shërbimet e Policisë Kufitare në aeroportin e Rinasit u vunë në lëvizje pas një kërcënimi për shpërthim me bombë në një avion të linjës Manchester–Rinas.
Rreth orës 19:30, ndërsa avioni po ulej, menaxheri i aeroportit (ODM) njoftoi policinë se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër e shkruar në gjuhën angleze, e cila përmbante një mesazh kërcënues për vendosjen e një bombe.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë ndërhynë në pistë dhe mundësuan zbritjen e kontrolluar të udhëtarëve. Më pas u krye një kontroll i imtësishëm i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Pasagjerët u kontrolluan në grupe, fillimisht nga efektivët e policisë dhe më pas përmes skanerëve të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të ndihmonin në zbulimin e autorit të mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk u gjet asnjë send shpërthyes.
Për rastin është vënë në dijeni edhe struktura e Antiterrorit, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.








