Krahasohet me Camorra dhe Yakuza, SHBA shpërblim 5 milionë dollarë për kapjen e ish-promotorit të Tyson Fury

I krahasuar me Camorra-n italiane dhe yakuza-n japoneze, ish-promotori i boksierit Tyson Fury, Daniel Kinahan po kërkohet nga qeveria amerikane për trafik ndërkombëtar droge.

Thesari i shtetit në SHBA njoftoi se ndaj shtatë anëtarëve të grupit të Kinahan janë vendosur sanksione, për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Mes të ndaluarëve janë babai dhe vëllai i Kinahan. Atyre u është bllokuar çdo aset që kanë në SHBA. Sanksione të ngjashme këto me ato ndaj oligarkëve rusë të lidhur me Vladimir Putin-in.

Ndërsa për vetë Kinahan-in u tha se “besohet se drejton operacionet e përditshme të organizatës”. Karteli “KOCG” operon në Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithashtu janë vënë në dispozicion 5 milionë dollarë për këdo që jep informacione që çojnë në arrestimin e irlandezit.

Karteli u shfaq nga fundi i viteve 1990 dhe fillimi i viteve 2000. Sipas të dhënave nga Thesari amerikan, të ardhurat e kartelit të Kinahan kanë qenë mbi 1 miliard paund vitet e fundit.

44-vjeçari ka këmbëngulur më herët se akuzat në lidhje me krimin janë pjesë e një “fushate” kundër tij.

Irlandezi ka qenë promotor i britanikut Fury, falë të cilit ky i fundit është bërë një nga figurat më me ndikim në boks.

Kinahan u fotografua në muajin shkurt me Fury-n, i cili mbron titullin e tij botëror në peshat e rënda në ëBC kundër Dillian Whyte në “Wembley” më 23 prill.


Shtuar 12.04.2022 21:29