ZYRTARE: Tottenham Hotspur shkarkon Jose Mourinhon

Jose Mourinho nuk është më menaxher i Tottenham Hotspur.

Lajmin për shkarkimin e portugezit e ka bërë të ditur klubi i Tottenham Hotspur përmes uebfaqes zyrtarë.

“Klubi sot njofton se Jose Mourinho dhe stafi i tij, Joao Sacramento, Nuno Santos, Carlos Lalin dhe Giovanni Cerra janë liruar nga detyrat e tyre përkatëse”, tha Tottenham.

Ndërkohë edhe Shefi ekzekutiv i Tottenhamit, Daniel Levy shpjegoi shkarkimin e Mourinhos.

“Jose dhe stafi i tij kanë qenë me ne një kohë të gjatë gjatë në disa prej kohërave tona më sfiduese si klub. Jose është një profesionist i vërtetë i cili tregoi një punë të jashtëzakonshme gjatë pandemisë. Në nivelin personal më ka pëlqyer të punoj me të dhe pendohem që gjërat nuk kanë ecur siç e kishim parashikuar të dy”, tha Levy.

“Ai do të jetë gjithmonë i mirëpritur këtu dhe ne duhet të falënderojmë atë dhe stafin e tij të trajnerit për kontributin e tyre në Tottenham Hotspur”, përfundoi Daniel Levy.

Mourinho u bë pjesë e Tottenhamit në vitin 2019, duke zëvendësuar Maurizio Pocchetinon i cili u shkarkua nga klubi atë sezon.

Tottenham qëndron në vendin e shtatë me 50 pikë total në Premierligë, ndërsa ndeshjen e fundit barazoi me Evertonin.


Shtuar 19.04.2021 13:14