Ukrainasit i përgjigjen masivisht thirrjes së presidentit, radhë të gjata qytetarësh (VIDEO)

Mëngjesin e ditës së sotme nisi sulmi rus mbi Ukrainë, ku qindra predha dhe raketa goditën qytetet ukrainase.

Pas thirrjes së Presidentit Volodymyr Zelensky drejtuar qytetarëve për të dhuruar gjak, qytetarët janë rreshtuar për të përmbushur detyrimin moral e për të ndihmuar ushtarët.

Një prej doktorëve të bankës së gjakut tha se këtë shkallë dhurimi e ka parë vetëm gjatë vitit 2014, kur Ukraina kishte konfliktin me Rusinë në Donbas.

Forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë. Raportohet se ndaj qyteteve më të rëndësishme janë lëshuar raketa dhe janë dëgjuar shpërthime. Njerëzit kanë nisur që të arratisen nga kryeqyteti Kiev. Një pjesë tjetër e banorëve janë strehuar në stacionet e metrove, të cilat janë shndërruar në bunkerë të improvizuar.

Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën mbi 10 civilë dhe më shumë se 40 ushtarë. Megjithatë të dhënat janë gjithmonë në përditësim dhe mund të ndryshojnë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se përgjigja e Moskës do të jetë e menjëhershme nëse dikush do të përpiqet që të përballet me Rusinë. Putin i ka bërë thirrjeve ushtarëve ukrainas që të lëshojnë armët dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.

Presidenti amerikan Joe Biden nga ana tjetër është zotuar se bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse duke parashikuar humbje të madhe jete nga kjo ngjarje. Bashkimi Europian ka thënë se këto janë orët më të errëta të Europës që prej Luftës së II Botërore dhe se Rusia do të goditet nga “sanksione madhore”.


Shtuar 24.02.2022 14:59