Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, ndër ta dhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Tabaku është shprehur se e ka të vështirë të flasë në aspektin politik dhe personal për këtë çështje, por shton se në aspektin e drejtësisë, është një hap.
Deputetja demokrate nuk ka ndalur dhe sulmin ndaj qeverisë ku thotë se me dy ministra në burg (Saimir Tahirin dhe Lefter Kokën), Rama nuk duhej të ishte sot kryeministër, duhej të kishte dhënë dorëheqjen.
“E kam të vështirë të flas në aspektin politik dhe personal të saj, nuk më ka ndaluar asnjë moment që unë të bëj akuzat e mia publike ndaj z. Tahiri sa here e kam gjykuar dhe në fakt kam qenë zë lartë sa i përket akuzave në drejtim të tij.
Dua ta shoh në aspektin e zbatimit të reformës në drejtësi, nga kjo pikëpamje nëse dy ministra prej akuzave konkrete të PD edhe me mbrojtjen e kryeministrit, janë përpara drejtësisë, besoj se ky është një hap. Rama deri në momentin e fundit e ka mbrotjur ministrin Tahiri, thotë ‘dy fletë bakalli nuk justifikojnë një ministër’. Kur bëhet fakt më pas thotë nuk merrem me vendimin e gjykatës, por për një kryeministër të ketë dy ministra në burg, që i ka mbrojtur vetë duhet të kishte dhënë dorëheqjen sot. Nuk duhet të ishte më kryeministër. Dhe duke patur parasysh faktet dhe akuzat e tjera, unë flas për inceneratorët, por ka edhe në shumë të tjera, ministra të tjera të përfshirë”, tha Tabaku./albeu.com