A po përgatiten forcat ruse për të pushtuar Ukrainën?
Të paktën 100,000 trupa janë pozicionuar përgjatë kufijve të Ukrainës, ndërsa Rusia kërkon garanci nga Perëndimi. SHBA, nga ana tjetër ka theksuar se Rusia i ka të gjitha forcat dhe mjetet e duhura për të pushtuar Ukrainën por Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuza të tilla.
Ajo që mund të ndodhë më pas mund të rrezikojë të gjithë strukturën e sigurisë së Europës.
Pse Rusia kërkon të pushtojë Ukrainën?
Kërkesa thelbësore e Rusisë është që Perëndimi të sigurojë se Ukraina nuk do të bashkohet me NATO-n. Ukraina kufizohet si me BE-në ashtu edhe me Rusinë, por si një ish-republikë sovjetike ajo ka lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë dhe rusishtja flitet gjerësisht atje.
Kërcënimi duhet të meret seriozisht pasi Rusia ka pushtuar dikur Ukrainën. Kur ukrainasit rrëzuan presidentin e tyre pro-rus në fillim të vitit 2014, Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti separatistët që pushtuan pjesë të mëdha të Ukrainës lindore.
Rebelët kanë luftuar me ushtrinë ukrainase që atëherë në një konflikt që ka shkaktuar më shumë se 14 mijë viktima.
Por sa e rrezikur është Ukraina nga një pushtim i mundshëm rus?
Rusia ka theksuar se nuk ka plane të pushtojë Ukrainën dhe shefi i inteligjencës së jashtme Sergei Naryshkin i ka cilësuar të rreme këto akuza që janë përhapur nga SHBA-ja dhe kryeqytetet e tjera përëndimore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka paralajmëruar se rreziku i konfliktit është shumë real.
Shtetet e Bashkuara thonë se një pushtim rus mund të ndodhë në çdo moment por nuk e dine saktësisht se kur do të ndodhë diçka e tillë. Presidenti Joe Biden u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina. Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Holanda, Letonia dhe Norvegjia kanë ndjekur të njejtin shembull.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson tha: “Ky është ndoshta momenti më i rrezikshëm me te cilin është përballur Europa për dekada dhe ne duhet të gjejmë zgjedhjen.”
Oficeri më i lartë ushtarak i Presidentit Biden, Gjenerali Mark Milley, ka paralajmëruar se shkalla e forcave ruse do të shkaktonte një numër të konsiderueshëm viktimash dhe luftimet në zonat urbane do të ishin katastrofike. Ndërkohë Ukraina i ka kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos përhapin panik.
Franca beson se qëllimi kryesor i Putinit është të arrijë një marrëveshje më të fortë sigurie.
Megjithatë, presidenti Vladimir Putin ka kërcënuar se do të marrë masa hakmarrëse ushtarako-teknike, nëse Perëndimi vazhdon me qasjen agresive. Mijëra trupa ruse po marrin pjesë në stërvitjet në Bjellorusi, afër kufirit të saj prej 1,084 km me Ukrainën.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë kohët e fundit e krahasoi situatën aktuale me krizën e raketave kubane të vitit 1962, kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ishin në prag të një konflikti bërthamor.
Çfarë kërkon Rusia nga NATO?
Rusia ka kërkuar nga NATO, që Ukraina të mos bëhet kurrë pjesë e aleancës, tha në një deklaratë, zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov. Presidenti Putin shpjegoi se nëse Ukraina bashkohet me NATO-n, aleanca mund të përpiqet të rimarrë Krimenë.
Moska ka akuzuar vendet e NATO-s se po furnizojnë me armë Ukrainën dhe SHBA-në për nxitjen e tensioneve për të frenuar zhvillimin e Rusisë.
Në realitet, Rusia dëshiron që NATO të kthehet në kufijtë e saj para vitit 1997. Nuk kërkon më zgjerim drejt lindjes dhe përfundimin e aktivitetit ushtarak të NATO-s në Europën Lindore. Kjo do të thotë që njësitë luftarake të tërhiqen nga Polonia dhe republikat baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, dhe të mos vendosin raketa në vende të tilla si Polonia dhe Rumania.
Në sytë e Putin, Perëndimi premtoi në 1990 se NATO nuk do të zgjerohej “asnjë centimetër në lindje”, por gjithsesi e bëri diçka të tillë. Megjithatë, kjo ishte përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, kështu që premtimi i presidentit të atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev i referohej vetëm Gjermanisë Lindore në kontekstin e një Gjermanie të ribashkuar.
Gorbachev tha më vonë se “tema e zgjerimit të NATO-s nuk u diskutua kurrë” në atë kohë.
Rusia ka propozuar gjithashtu një traktat me SHBA-në që ndalon vendosjen e armëve bërthamore përtej territoreve të tyre kombëtare.
Çfarë kërkon Rusia nga Ukraina?
Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014. Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, i cili u shemb në dhjetor 1991 dhe Putin tha se kjo në fakt ishte “shpërbërja e historisë së Rusisë”. Gjatë vitit të kaluar, presidenti Putin i quajti rusët dhe ukrainasit “një komb”. Ai i etiketoi udhëheqësit aktualë të Ukrainës si drejtues të një “projekti anti-rus”.
Rusia aneksoi Krimenë në 2014
Rusia është gjithashtu e frustruar se marrëveshja e Minskut në vitin 2015 për Ukrainën lindore është larg realizimit. Ende nuk ka një marrëveshje për zgjedhje të monitoruara në rajonet separatiste. Ndërkohë Rusia vazhdon të mohojë akuzat se është pjesë e konfliktit të vazhdueshëm.
A mund të ndalojmë Rusinë?
Emmanuel Macron thotë se udhëheqësi rus i premtoi atij gjatë bisedimeve maratonë se Rusia “nuk do të ishte burimi i një përshkallëzimi”.
Pyetja është se deri ku do të arrijë Rusia?
Shtëpia e Bardhë ka theksuar se çdo lëvizje përtej kufirit nënkupton një pushtim, por thekson se Rusia ka armë të tjera, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe taktika paraushtarake. Kur në janar, 70 website të qeverisë ukrainase u mbyllën, Rusia mohoi akuzat se qëndronte pas sulmit.
Pentagoni ka akuzuar Rusinë se ka publikuar disa video të rreme të një operacioni për të pushtuar Ukrainën, si një pretekst për të sulmuar.
Rusia i ka mohuar akuzat. Rusia gjithashtu ka shpërndarë rreth 700,000 pasaporta në zonat e drejtuara nga rebelët, kështu që nëse nuk merr atë që dëshiron, atëherë mund të justifikojë çdo veprim si mbrojtjen e qytetarëve të saj.
Megjithatë, nëse qëllimi i vetëm i Rusisë është të detyrojë NATO-n të tërheqë trupat, nuk ka asnjë shenjë që do të ketë sukses.
30 anëtarët e NATO-s kanë refuzuar çdo përpjekje të Rusisë. “Ne nuk do të lejojmë askënd që të mbyllë politikën e dyerve të hapura të NATO-s”, tha Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Wendy Sherman.
Ukraina po kërkon një afat kohor për t’u anëtarësuar dhe NATO thotë se Rusia , “nuk ka të drejtë të ndërhyjë në atë proces”. Dhe Suedia dhe Finlanda, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s, kanë kundërshtuar gjithashtu përpjekjen e Rusisë për t’i ndaluar ato të forcojnë bashkëpunimin me aleancën.
Deri në çfarë pike do të rrezikojë Perëndimi për Ukrainën?
SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s e kanë bërë të qartë se nuk kanë plane për të dërguar trupa ushtarakë në Ukrainë, por në vend të kësaj do të mbështesin vendin. Pentagoni ka vënë në gatishmëri 8,500 trupa ushtarakë dhe po dërgon 3,000 trupa shtesë në Gjermani, Rumani dhe Poloni.
Aleatët e tjerë të NATO-s kanë përforcuar mbështetjen e tyre në krahun lindor të aleancës.
Mjetet kryesore në armaturën e Perëndimit duket se janë sanksionet dhe ndihma ushtarake në formën e këshilltarëve dhe armëve. Polonia ka ofruar një sërë dronësh vëzhgimi, bomba dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Kanadaja, Republika Çeke dhe republikat baltike kanë ofruar gjithashtu ndihmë për sigurinë.
Presidenti Biden e ka kërcënuar liderin rus me masa që “ai nuk i ka parë ndonjëherë” nëse vendos të pushtojë Ukrainën.
Pra, çfarë përfshijnë ato?
Goditja përfundimtare do të ishte shkëputja e sistemit bankar të Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave Swift. Kjo është cilësuar si masa e fundit dhe ekziston shqetësimi se diçka e tillë mund të dëmtojë ekonominë e SHBA-së dhe Europës. Një kërcënim tjetër kyç është parandalimi i hapjes së gazsjellësit rus Nord Stream 2 në Gjermani.
Presidenti Biden ka paralajmëruar gjithashtu se nëse Putin vendos të pushtojë Ukrainën, do të vendosë sanksione personale ndaj Vladimir Putin.
Çfarë do të përfshinte një marrëveshje?
Një marrëveshje e mundshme do të duhej të përfshinte si luftën në Ukrainën lindore, ashtu edhe çështjen më të gjerë të sigurisë. Një armëpushim është vendosur, por bisedimet që përfshijnë Rusinë, Ukrainën, Francën dhe Gjermaninë për ringjalljen e marrëveshjeve të Minskut të 2014 dhe 2015 deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë një rrugëdalje.
Ukraina është e pakënaqur për kushtet e marrëveshjeve, të cilat ajo thekson se favorizuan më shumë Rusinë dhe sepataristët.
“Të pëlqen ose jo, duhet të durosh”, ishin fjalët e Presidentit Putin drejtuar liderit të Ukrainës, në lidhje më këtë çeshtje.
Një tregues shumë i qartë se deri ku mund të shkojë Perëndimi për një marrëveshje më të gjerë sigurie me Rusinë rrjedh nga një dokument i dërguar Moskës nga SHBA-ja dhe NATO. Në të, theksohet se SHBA-ja mund të jetë e gatshme të fillojë bisedimet për kufizimin e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme, si dhe të nisë negociatat për një traktat të ri për raketat ndërkontinentale.
Uashingtoni duhet të sigurojë vendin se nuk do të vendosen raketa balistike në Poloni ose Rumani si pjesë e një “mekanizmi të transparencës”, me Rusinë që nga ana tjetër duhet të ofrojë siguri në dy bazat e saj raketore.