Armando Broja është duke djegur të gjitha etapat dhe po ngjitet me shpejtësi skëterrë drejt lojtarëve më të vlerësuar të Premier League edhe pse vetëm në moshën 20-vjeçare.
Sulmuesi i kombëtares është shndërruar në golashënuesin më të mirë të Southampton me shtatë gola (5 në kampionat dhe 2 në Kupë), teksa këto statistika e kanë bërë të vendosë edhe disa rekorde.
Në këtë formë, e ardhmja e tij është në pikëpyetje pasi dihet se Broja është një lojtar në pronësinë e Chelsea dhe në fund të sezonit duhet të kthehet në Londër. Mirëpo, trajneri i Southampton, Ralph Husenhuttl po këmbëngul që lojtari të qëndrojë te “Shënjtorët” ndërsa së fundmi ka theksuar se drejtuesit do të flasin me Chelsea për të gjetur gjuhën e përbashkët mbi futbollistin shqiptar.
“Ne do të mundohemi të gjejmë dakordësinë me lojtarin, agjentin dhe klubin e tij. Do të mundohemi të kuptojmë se çfarë kërkon lojtari, por edhe Chelsea. Broja e pëlqen shumë ambientin te Southampton, ai e shijon atmosferën këtu dhe kjo është një nga arsyet se pse po shkëlqen dhe po zhvillohet. Ne tashmë duhet të marrim vendimin e duhur për djaloshin dhe nëse ky vendim i shkon përshtat edhe klubit atëherë do të jetë shumë mirë”, u shpreh Husenhuttl. Sakaq, Southampton zbret në fushë pasditen e sotme në orën 16:00 në transfertë ndaj Wolverhampton dhe vëmendja sërish do të jetë mbi Brojën për të marrë një rezultat pozitiv.