Një makinë tip “Benz”, në të cilin udhëtonin dy persona, ka alarmuar efektivët e policisë mbrëmjen e djeshme.
Burime për albeu.com, raportojnë se makina në fjalë është pikasur nga një patrullë policie në zonën e Qafës së Kasharit në Tiranë, ndërsa më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të Kamzës dhe më pas në drejtim të Fushë Krujës.
Policia është vënë në ndjekje të mjetit por nuk ka mundur ta ndalojë. Ata kanë arritur të marrin të dhënat e targave, të cilat pasi i kontrolluan, rezultoi të ishin të vjedhura.
Policia ka dyshime se mund të kenë pasur qëllim përdorimin e tyre në ndonjë ngjarje kriminale.
Kujtojmë se në Shqipëri, skema të tilla me targa të vjedhura janë të përsëritura. Kriminelët përdorim makina po ashtu të vjedhura, më pas vendosin targat e vjedhura nga automjete të tjera dhe kryejnë ekzekutimet. Pas krimit arratisen, i vendosin flakën makinës së përdorur dhe kështu zhdukin çdo gjurmë, duke e bërë thuajse të pamundur gjetjen e tyre./albeu.com/