Lejuan prerjen e pyjeve në këmbim të parave, pezullohen nga detyra 5 punonjës të policisë në Maliq

Strukturat e SHÇBA-së Korçë kanë pezulluar nga detyra 5 punonjës të policisë në Maliq, pasi kanë favorizuar kundrejt shumave në lekë prerjen, transportin dhe tregëtinë e paligjshme të lëndëve drusore nga subjekte të ndryshme të shitjes së lëndëve drusore.

Favorizimi është bërë duke krijuar skema fiktive në dokumentacionin shoqërues që këto subjekte përdorin gjatë transportimit dhe duke kryer kontrolle fiktive në pikat e kontrollit të ngritur me qëllim monitorimin e kësaj veprimtarie të kundraligjshme.

Njoftimi i SHÇBA:

Strukturat e SHÇBA-së Korçë, kanë kryer ekzekutimin e vendimit penal nr. 381 datë 08.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 5 punonjësve të policisë, efektivë të Komisariatit të Policisë Maliq dhe DVP Korçë, të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkatërrimi i pronës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”, konkretisht:

– Kryekomisar R.H., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Maliq, aktualisht Shef i Sektorit të Rendit në DVP Korçë, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shkatërrimi i pronës”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”;

– Inspektor D. L., me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

– Inspektor A. A., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërimi i pronës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;

– Inspektor D. O., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”;

– Inspektor N. M., me detyrë Trupë shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Maliq, si i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”,”Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Nga hetimet e kryera rezulton se punonjësit e mësipërm të policisë, në bashkëpunim me struktura të tjera të kontrollit të territorit, kanë favorizuar kundrejt shumave në lekë prerjen, transportin dhe tregëtinë e paligjshme të lëndëve drusore nga subjekte të ndryshme të shitjes së lëndëve drusore, duke krijuar skema fiktive në dokumentacionin shoqërues që këto subjekte përdorin gjatë transportimit dhe duke kryer kontrolle fiktive në pikat e kontrollit të ngritur me qëllim monitorimin e kësaj veprimtarie të kundraligjshme.

Po ashtu nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësit e policisë, Kryekomisar R. H., Inspektor D.L. dhe Inspektor A.A. kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.


Shtuar 9.12.2021 14:25