Zyra Arsimore Berat ka shkarkuar nga puna mësuesin Ëngjëll Bregu. Ky vendim i fundit i bërë publik veç pak minuta më parë u mor pas publikimit në media mbi të shkuarën e tij si abuzues seksual ndaj nxënësve dhe dënimin e tij me 7 muaj burg.
Burimet nga DAR Berat kanë bërë me dije se nuk kanë pasur informacion mbi dënimin e tij, dhe se dëshmia e penalitetit të dorëzuar në dosjen për punë, ishte e pastër.
Vendimi i DAR për shkarkimin e mësuesit Ëngjëll Bregu vërteton akuzat e rëndë ndaj tij si pedofil dhe abuzues seksual.
Juristja e Zyrës Arsimore në Berat, Marilda Frashëri tha se ky institucion nuk ishte dijeni në lidhje me dënimin e Bregut, dhe me marrjen e këtij informacioni nga mediat, 62-vjeçari i është shkarkuar nga detyra.
“Çdo procedurë për punëismin e tij është bërë sipas ligjit. Është shpallur vendi vakant sipas procedurës dhe udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për mësues zëvendësues. Nuk ka ardhur asnjë aplikant nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
I jemi drejtuar me shkresë Drejtorisë Rajonale të Arsimit me qendër në Korçë për mungesë të aplikantëve dhe nuk ka ardhur asnjë person. Ndërsa Engjëll Bregu ka sjellë dosjen fizike në Drejtorinë Arsimore dhe që prej 2014 personi ka një dëshmi penaliteti “i padënuar” pra rezulton i pastër.
Ai ka qenë i punësuar me kontratë në disa shkolla të Beratit dhe ka pasur sjellje korrekte. Tani pas këtij reagimi publik do rishikojmë kontratën edhe pse ai ligjërisht është në rregull. Në Drejtorinë Arsimore ka bërë vetëdeklarim se është i padënuar”, deklaroi juristja Frashëri.
Çfarë ka ndodhur në vitin 2003?
Disa nxënës të shkollës 9-vjeçare “Uznovë” në Berat kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskuesioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.
Nxënëset atëherë e cilësuan mësuesin si maniak, pedofil dhe të rrezikshëm. Mësuesi u arrestua dhe u dënua për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ja hoqi asokohe të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria.
Pas kryerjes së dënimit, ai u rikthye në detyrë në vitin 2004 në një shkollë 9-vjeçare në fshatin “Hinkë” më Dimal dhe një muaj më pas u transferua në shkollën 9-vjeçare të fshatit “Çiflik”, po në bashkinë Dimal, për të qënë më afër shtëpisë.
Në 25 Prill 2009 ai është akuzuar sërish nga 13 prindër se ka ngacmuar seksualisht fëmijët e tyre në këtë shkollë. Prindërit dërguan asokohe një peticion në Drejtorinë Arsimore Berat, ku kanë shpjeguar sjelljet jo të hijshme të mësuesit.
Prindërit e akuzonin mësuesin Ëngjëll Bregu se vinte i dehur në shkollë, se organizonte ekskursione pa miratimin e drejtorisë së shkollës dhe se i prekte vajzat e mitura në pjesë të ndryshme të trupit. Pas këtij peticioni, DAR Berat e pezulloi atë nga detyra por për shkak se denoncimi nuk u bë në polici, Bregu nuk u arrestua sërish.
Pas 13 vjetësh i larguar nga sistemi arsimor, me një vendim që nuk dihet se nga kush është firmosur, mësuesi Ëngjëll Bregu, u rikthye në arsim dhe prej 1-jave është emëruar në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori”, në qendër të qytetit të Beratit. /albeu.com/