Makina inteligjente që po bën kërdinë me gjoba ndaj shkelësve të rregullave në qarkullimin rrugor nuk do të jetë e vetmja në shërbim të policisë së shtetit.
Sipas zv.ministrit të Brendshëm, Julian Hodaj pritet që brenda pak muajve të mbërrijnë edhe dhjetë makina të tjerë me teknologji e sisteme edhe më të përparuara.
“Makina inteligjente, që ka shumë me inteligjente dhe më të avancuar se aktualja, do të marrim së shpejti 10 makina të tilla. Kjo do të bëhet në më pak se 3-4 muaj që do të vijnë”, tregoi Hodaj në një intervistë për ABC.
Zv.ministri u shpreh se mes tyre do të ketë makina të pajisura me teknologji që jo vetëm do të identifikojë shkeljet në qarkullim, por do të lidhen drejtpërdrejt me sistemin për të zbuluar edhe problematika të tjera që mund të ketë drejtuesi i makinës, që nga gjobat e mëhershme, numri i shkeljeve dhe deri te kolaudimi.
“Kanë sistem të njohjes së targës dhe alert në kohë reale për të gjitha shkeljet që mund të bëjë një automjet. Nuk konstatohen vetëm shkeljet, por edhe kolaudimi i makinës, apo problematika me makinën dhe shoferin”, sqaroi ai.