Bajerni do të kërkojë sot të harrojë humbjen e turpshme në Kupë ndaj Gladbahut.
Kampionët do të udhëtojnë në kryeqytet për t’u ndeshur me Unionin Berlinin në një sfidë që premton spektakël. Trajneri Julian Nagelsman foli nga shtëpia duke thënë që nuk do të ketë një ndeshje të dytë si ajo në Kupën e Gjermanisë.
Si ndiheni?
Ndihem mirë, pavarësisht asaj që ndodhi të mërkurën. Ishte një humbje që më dhembi deri në kockë. Shpresoj që të jem të martën në ndeshjen e Champions-it, atëherë do të kem kaluar edhe 14 ditët e karantinës.
Si është gjendja e skuadrës?
Gorecka ka pësuar një goditje dhe për të duhet të presim deri ditën e nesërme (sotme), por mendoj që mund jetë në fushë. Ai është një lojtar i fortë dhe di si të veprojë në të tilla raste. Pjesa tjetër e skuadrës është në rregull, edhe pse humbja në kupë na ka lënë me pasoja psikologjike.
Çfarë nuk shkoi ndaj Gladbahut?
Në radhë të parë, treguam se edhe ne jemi njerëz si gjithë të tjerët dhe jo robotë. Gabuam shumë dhe kjo nuk duhet të ndodhte. Tre golat praktikisht i falëm vetë me gabimet tona, ata do të jenë një mësim i mirë për ndeshjet e ardhshme. Kupa ishte shumë e rëndësishme për ne. Gjithsesi, tani nuk ia vlen që të vajtojmë për atë që ka ndodhur dhe duhet të mbledhim forcat për të bërë një kampionat të mirë dhe të shkojmë sa më larg në Champions. Kam folur me Dinon dhe gjendja e lojtarëve pas ndeshjes ishte shumë shokuese pasi askush nuk e kishte parashikuar një eliminim të tillë. Edhe unë u ndjeva njëlloj.
Do të ketë rrotacion?
Kemi kryer rrotacion në javën e kaluar dhe mendoj që nuk do të ndodhë, edhe pse 2-3 lojtarë do të kenë nevojë për t’u çlodhur. Gjithsesi, nuk mendoj që humbja në Gladbah kishte të bëjë me lodhjen.
Pas eliminimit janë dëgjuar shumë zëra për një krizë në skuadër…
Sigurisht që situata nuk ka qenë e qetë dhe kjo nuk i bën mirë ambientit.
Ndieni presion?
Presion ndiej gjithmonë, e kam bërë këtë që në ditën e parë. Te Bajerni trysnia është gjithmonë e pranishme. E dija që në fillim se si ishte ambienti këtu, por kjo gjë nuk më tremb, përkundrazi më mobilizon më shumë. Jam i bindur që skuadra do të arrijë gjëra të mëdha në këtë sezon. Nëse japim 100% në fushën e lojës, nuk na ndal dot askush.
Sa përgjegjësi kanë lojtarët kryesorë?
Nuk duhet kurrsesi që lojtarë të tillë me peshë të shkunden aq kollaj. Lojtarët u munduan të japin shpjegime për atë që ndodhi. Për mua është e rëndësishme që të gjithë kanë ndjesinë e fajit. Në një humbje të tillë të gjithë janë fajtorë, edhe unë që isha në shtëpi.
Çfarë prisni ndaj Unionit?
Sigurisht që duam të fitojmë nesër (sot) për të treguar se ndeshja në Gladbah ishte një aksident. Ata kanë lojtarë të rinj që duan të konfirmohen në karrierën e tyre. Në 21 ndeshjet e luajtura në shtëpi, Unioni nuk ka pësuar asnjë humbje. Kjo tregon shumë. Por, jam i bindur që skuadra do të dijë se si të reagojë dhe të marrë në shtëpi tri pikët e radhës në kampionat.