A kritikohet nga Aurela? Basha: Sigurisht që po!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se familja e tij është forca më e madhe për të ecur, para, ndërsa theksoi se sigurisht që nuk mungojnë edhe kritikat prej tyre.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në News 24, Basha u shpreh se familja shtyllë e shoqërisë dhe zë vend kryesor në programin elektoral të PD-së, të shpalosur muajt e fundit për shqiptarët.

Pyetja: Kritika merrni nga familjarët?

Lulzim Basha: Pa diskutim që po. Shiko jeta profesionale dhe jeta politike dhe jeta private në shumë aspekte ndërthuren dhe shumë aspekte mbeten të veçanta. Vetë ritmi i jetës time politike është i tillë që është pothuajse i pamundur për tu ndjekur në përditshmërinë e tij si ritëm nga familjarët por qoftë familja ime, bashkëshortja, vajzat, qoftë familja e vjetër, prindërit, rrethi i gjerë familjarë ka qenë dhe janë një mbështetje e jashtëzakonshme dhe një burim i madh force dhe frymëzimi për mua.

Dua ta përsëris që, nuk besoj se jam përjashtim këtu, besoj që shumica e shqiptarëve kanë privilegjin të mbështeten fort tek familja, tek anëtarët e familjes ndaj edhe fokusi dhe objektivi kryesor i plani tonë është të ndërtojmë një familje të fortë shqiptare në kuptimin e zhvillimit ekonomik, në kuptimin e vendeve të punës, në kuptimin e mbështetje të fëmijëve e dhënies fund të zvogëlimit të tkurrjes së Shqipërisë.

Ju e dini ne kemi një plan i cili nxit krijimin e familjeve të reja duke i dalë përpara disa prej sfidave kryesore siç janë kosto e një fëmije të porsalindur apo kosto e arsimimit të fëmijëve apo kosto e një banese të re por po kështu edhe kujdesi për prindërit për ata që kanë shkrirë jetën e tyre në kohë shumë të vështira për të na bërë këta që jemi sot.

Prandaj familja është në fokus qoftë në kuptimin, forca ime është, frymëzimi i, por është edhe frymëzimi im në kuptimin familja shqiptare dhe si dua ta shoh familjen shqiptare nesër në një Shqipëri ndryshe, në një Shqipëri me oportunitete, me një Shqipëri të zhvilluar, me një Shqipëri që i kthen familjeve shqiptare dinjitetin dhe mundësinë për punësim dhe për një jetë normale për mirëqenie dhe për dinjitet.

 

 


Shtuar 27.03.2021 18:51