Një leopard 19-vjeçar nga Kina është bërë papritur i famshëm në rrjetet sociale, pasi pamja e tij e veçantë dhe forma e rrumbullakosur e trupit tërhoqën vëmendjen e publikut.
Pan Baobao jeton në Kopshtin Zoologjik Panzhihua, në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore. Pamja e tij ka fituar simpatinë e mijëra përdoruesve të internetit, të cilët e kanë shndërruar në një simbol të pranimit dhe pozitivitetit ndaj trupit.
Të lidhura
None found
Shumë prej tyre e kanë krahasuar leopardin me Oficeren Clawhauser, personazhin e dashur nga filmi i animuar “Zootopia”, një gepard i paraqitur me trup të shëndoshë.
Vëmendja e madhe ndaj tij ka rikthyer diskutimet për përpjekjet e mëparshme të kopshtit zoologjik për të menaxhuar peshën e kafshës. Gjatë vitit 2024, Pan Baobao iu nënshtrua një programi të rreptë dobësimi, pasi kishte shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore.
Pas konsultimit me specialistë, drejtuesit vendosën ta ndalonin dietën me kufizim kalorish dhe t’i siguronin leopardit më shumë hapësirë për të jetuar.
Zëdhënësi i kopshtit zoologjik, Zhang Songwen, tha se mosha e madhe e Pan Baobaos nuk e justifikon një tjetër përpjekje për rënien e peshës.
“Kjo nuk do të thotë se nuk e kontrollojmë dietën e tij, por ai po plaket dhe nuk duhet të humbasë peshë”, deklaroi ai, duke sqaruar se fokusi kryesor është ruajtja e gjendjes fizike dhe garantimi i shëndetit të kafshës.
Sot, leopardi ushqehet çdo ditë me më shumë se 500 gramë mish viçi dhe pule, për të siguruar lëndët ushqyese që i nevojiten.
Edhe pse disa vizitorë kanë vënë re se barku i tij duket më i madh, zyrtarët e kopshtit thonë se pesha e Pan Baobaos ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme. Kontrolli i fundit veterinar ka treguar gjithashtu se ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
Fama e leopardit ka sjellë edhe kritika ndaj kopshtit zoologjik. Disa përdorues dyshojnë se kafshët ushqehen qëllimisht më shumë për t’u dukur më tërheqëse për vizitorët, një debat që ishte shfaqur më herët edhe në rastin e hipopotamit të njohur Moo Deng.
Kujdestarët e Pan Baobaos, megjithatë, insistojnë se prioriteti i tyre nuk është pamja e leopardit, por mirëqenia e tij. Sipas tyre, synimi është ta mbajnë të shëndetshëm, aktiv dhe sa më të qetë, pa e futur më në dieta për humbje peshe.








