Një aksident rrugor në Baku u mori jetën dy personave në orët e para të 23 nëntorit, mes tyre prezantueses së njohur të televizionit azherbajxhanas, Ada Suleyman, si dhe mikut të saj, Anar Karimov.
Sipas agjencisë Report.az, në përplasje u përfshinë një automjet dhe një kamion. Kur shërbimet e emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes, konstatuan se dy personat ndodheshin ende të bllokuar në makinën e dëmtuar rëndë.
Të lidhura
None found
Me anë të pajisjeve të posaçme, ekipet e shpëtimit nxorën trupat e pajetë të drejtuesit të mjetit, Anar Karimov, dhe të pasagieres Ada Suleymanova.
Ada Suleyman ishte një figurë e njohur për publikun, fillimisht në ARB TV, ku drejtoi për një kohë të gjatë emisionin “Sən olsaydın”.
Pasi u nda nga televizioni, 31-vjeçarja po punonte për një projekt të ri në YouTube, në format podcast, ku kishte në plan të ftonte emra të njohur. Ajo ishte aktive në Instagram dhe ndiqej nga më shumë se 40 mijë njerëz.
Tragjedia erdhi në një moment veçanërisht të dhimbshëm, sepse vetëm pak orë më parë ajo kishte festuar ditëlindjen e saj të 31-të në një restorant në Baku. Ajo po kthehej në banesë kur ndodhi përplasja fatale.
Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e ekspertizave përkatëse, teksa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit.








