Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vijoi një nga traditat më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, duke i dhënë falje zyrtare dy gjelave të detit të quajtur Freedom dhe Feathers, në prag të festës së Ditës së Falënderimeve.
Ceremonia u mbajt të martën në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump u dha të dy shpendëve faljen presidenciale, duke i shpëtuar nga therja dhe konsumimi gjatë festës tradicionale amerikane.
Të lidhura
None found
Zakoni daton që nga viti 1947, kur Federata Kombëtare e Gjelave të Detit nisi t’i dhuronte presidentit amerikan dy shpendë për festën. Megjithatë, falja presidenciale në formën e njohur sot u bë traditë në vitin 1989, gjatë presidencës së George H. W. Bush.
Sipas presidentit, atyre iu dha një “falje e plotë, absolute dhe e pakushtëzuar”, e cila nënkupton se ata do të jetojnë përgjithmonë.
Gjatë ceremonisë, Trump iu drejtua gjelit me fjalët: “Freedom, që nga ky moment, ke një falje të plotë dhe përfundimtare”.
Ai shtoi se gjeli tjetër, Feathers, ishte nisur me vrap drejt shkurreve, por kjo nuk e kishte vënë në dyshim faljen e tij.
Të hënën, Freedom dhe Feathers ishin shfaqur për herë të parë në hotelin Willard InterContinental në Washington, ku kishin qëndruar në një suitë luksoze përpara se të vizitonin Shtëpinë e Bardhë. Edicioni i sivjetshëm i ceremonisë kombëtare të prezantimit të gjelave të detit për Ditën e Falënderimeve ishte i 79-ti me radhë.
Për rritjen e dy gjelave të këtij viti u kujdesën Scott dhe Becky Rightsell, në fermën e tyre në Fort Sybert, në shtetin e West Virginia-s. Familja Rightsell, që prej brezash merret me bujqësi, e sheh përzgjedhjen për të rritur gjelat presidencialë si një vlerësim të veçantë të punës së saj.
Scott Rightsell e krahasoi rastin me Super Bowl-in për fermerët e gjelave të detit, duke thënë për CBS News: “Ky është si Super Bowl-i i fermerëve që rrisin gjela deti”.
Sipas tij, dy shpendët kishin ardhur në fermë që në muajin korrik, kur ishin ende të vegjël. Ata i mësuan gradualisht me praninë e njerëzve, me zhurmat e forta, kamerat dhe dritat e aparateve fotografike. Përzgjedhja nuk u bazua vetëm te pamja e jashtme, por edhe te sjellja e tyre.
Rightsell shpjegoi se kishin zgjedhur ata me temperamentin më të mirë, duke shtuar me humor se procesi ishte disi si një konkurs bukurie. “Zgjodhëm ata që kishin temperamentin më të mirë. Duhet të kesh pamje të mirë dhe temperament të mirë”, tha ai.
Pasi të mbyllin vizitën në Shtëpinë e Bardhë, të dy gjelat do të nisen për në College Station, në Teksas, ku do të jetojnë pjesën e mbetur të jetës në Universitetin Texas A&M.
Kjo shënon herën e parë që gjelat presidencialë do të vendosen në Teksas pas ceremonisë së faljes. Universiteti ka ngritur një ambient të posaçëm për ta, me kontroll të temperaturës, verandë dhe hapësirë të jashtme ku do të mund të qëndrojnë.
Për kujdesin e përditshëm të dy shpendëve do të ngarkohen gjashtë studentë universitarë, të cilët janë përzgjedhur posaçërisht për këtë punë.
Sipas drejtueses së Federatës Kombëtare të Gjelave të Detit, Christy Puffenbarger, Freedom dhe Feathers mund të bëjnë edhe një paraqitje në ndeshjen e futbollit amerikan të së premtes midis Universitetit Texas A&M dhe Universitetit të Teksasit.






