Sistemet informatike të Komisionit Europian janë përballur prej rreth një muaji me një sulm të gjerë kibernetik, për të cilin dyshohet se qëndron pas një grup hakerash me lidhje kineze.
Edhe pse ekipet e sigurisë kanë ndërmarrë përpjekje për ta ndalur, incidenti nuk është zgjidhur plotësisht. Ndërkohë, është bërë e ditur se janë ekspozuar emrat dhe adresat elektronike të përdoruesve.
Të lidhura
None found
Ekspertë dhe burime të informuara mbi rastin bëjnë me dije se në institucionet europiane grupi i dyshuar njihet me emrin e koduar “Panda”.
Prania e një aktori keqdashës në rrjetet e brendshme u zbulua më 22 tetor nga departamenti i teknologjisë së informacionit i Komisionit Europian. Për shkak të rrezikut që paraqiste incidenti, të shtunën u bllokua qasja publike në Akademinë e BE-së, platformë që ofron trajnime profesionale dhe programe të specializuara mësimore.
Komisioni ka bërë të ditur se nga sulmi janë ekspozuar emra dhe adresa email-i. Përdoruesit janë këshilluar të tregojnë kujdes, pasi të dhënat mund të keqpërdoren për tentativa phishing, me synimin që hakerat të përvetësojnë informacione të tjera personale.
Ekspertët e sigurisë kibernetike të BE-së nuk kanë konfirmuar deri tani se nga sisteme të tjera janë vjedhur të dhëna të stafit të Komisionit. Si masë paraprake, disa aplikacione të brendshme janë çaktivizuar përkohësisht, ndërsa disa të tjera vazhdojnë të mos funksionojnë.
Dyshimet për lidhje me shërbimet kineze
Vlerësimet fillestare sugjerojnë se sulmuesit nuk kanë pasur në shënjestër persona apo sisteme të veçanta. Sipas tyre, synimi mund të ketë qenë të provohej deri ku mund të depërtohej në rrjetet informatike të Komisionit Europian.
Dyshimet për lidhje me Kinën lidhen si me sofistikimin e sulmit, ashtu edhe me përdorimin e mjetit ARTEX. I zhvilluar në Kinë, ky mjet përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar dobësi në sistemet kompjuterike, të cilat hakerat mund t’i shfrytëzojnë më pas.
Kompani të mëdha të sigurisë kibernetike, Microsoft dhe CrowdStrike, kanë lidhur sulme ku është përdorur ARTEX me grupet Storm-0940 dhe Panda Vapor. Këto grupe dyshohet se kanë lidhje me Kinën dhe se përdorin inteligjencën artificiale në fushata ndërkombëtare spiunazhi, që kanë vënë në shënjestër qindra organizata në mbarë botën.
Komisioni Europian, objektiv i sulmeve të përsëritura
Gjatë këtij viti, Komisioni Europian është goditur edhe nga dy incidente të tjera kibernetike. Njëri preku infrastrukturën cloud ku hostohet faqja zyrtare Europa.eu, ndërsa tjetri, në muajin janar, shënjestroi infrastrukturën e komunikimit përmes pajisjeve celulare.
Të dy sulmet dyshohet se burojnë nga mjedisi i kërcënimeve kibernetike në Kinë, por nuk janë atribuar zyrtarisht. Besohet se pas tyre qëndrojnë grupe të ndryshme.
Qeveria kineze, nga ana e saj, ka mohuar vazhdimisht se financon, drejton apo mbështet grupe hakerash që dyshohen për sulme ndaj qeverive dhe institucioneve të huaja.
Rasti ka nxitur gjithashtu pakënaqësi brenda administratës europiane. Sindikata kryesore e punonjësve të Komisionit ka kritikuar menaxhimin e situatës, duke vënë në dukje veçanërisht se nëpunësit civilë morën vesh për sulmin nga mediat.
Një zyrtar i Komisionit e ka kundërshtuar këtë vlerësim, duke thënë se bërja publike e informacionit gjatë një incidenti të tillë mund t’u tregojë sulmuesve se po ndërmerren masa ndaj tyre.
Burime bëjnë të ditur se mbajtja e informacionit konfidencial synon edhe parandalimin e panikut, i cili mund të pengojë punën e ekspertëve që po përpiqen të kufizojnë pasojat e sulmit.







