Shaip Kamberi, deputet nga Koalicioni Shqiptar në Kuvendin e Serbisë, u shpreh gjatë seancës plenare të 18 nëntorit se përfaqësuesit shqiptarë janë të hapur për dialog dhe bashkëpunim me qeverinë e re serbe, por pa cenuar aspak parimet dhe kërkesat e tyre për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në fjalën e tij, Kamberi vuri theksin se transformimet politike nuk duhen gjykuar vetëm nga zëvendësimi i atyre që mbajnë pushtetin, por edhe nga mënyra se si institucionet trajtojnë qytetarët, të drejtat e tyre dhe barazinë.
Të lidhura
None found
“Mendoj se çdo ndryshim politik nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes ndërrimit të atyre që ushtrojnë pushtetin, por edhe përmes ndryshimit të qasjes së institucioneve ndaj qytetarëve, të drejtave të tyre dhe barazisë së tyre.
Në këtë kontekst, dua të nënvizoj që në fillim se jemi të gatshëm dhe të hapur për dialog e partneritet me këdo që synon të ndërtojë një shoqëri më demokratike, më të drejtë dhe më të përgjegjshme se ajo që kemi aktualisht.
Nuk kam ndërmend të paragjykoj askënd, as t’i atribuoj dikujt qëndrime që ende nuk ka pasur rast t’i shprehë. Por duhet ta them hapur që tani se gatishmëria për partneritet nuk do të thotë gatishmëri për konformizëm.
Hapja ndaj dialogut nuk përbën heqje dorë nga parimet, ndërsa bashkëpunimi politik nuk mund të zëvendësojë realizimin e të drejtave”, deklaroi ai.
Lidhur me zhvillimet më të fundit politike në Serbi dhe mesazhin e Kamberit, opinionisti Nehat Hyseni tha për “Bota Sot” se ndryshimi i shumicës parlamentare nuk sjell automatikisht ndryshim të politikave shtetërore ndaj shqiptarëve.
Sipas tij, testi i vërtetë për shumicën e re do të jetë gatishmëria për të siguruar barazi autentike, përfaqësim në institucione dhe zbatim të detyrimeve që Serbia ka ndërmarrë ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Hyseni vlerësoi se gatishmëria e Kamberit për bashkëpunim duhet të shndërrohet në një proces institucional të strukturuar, me përgjegjshmëri dhe rezultate që mund të maten.
“Ndryshimi i përbërjes politike të Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit 2026, hap një kapitull të ri në jetën politike serbe, por njëkohësisht krijon një moment të rëndësishëm për pozitën politike, juridike dhe institucionale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ky zhvillim nuk duhet parë thjesht si një rotacion i zakonshëm parlamentar!
Ai përfaqëson një moment të rëndësishëm të transformimit politik të Serbisë, i cili mund të hapë hapësirë për demokratizimin e institucioneve, rikthimin e përgjegjësisë politike dhe ndryshimin e trajtimit të çështjeve të pazgjidhura të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Sidoqoftë, ndryshimi i shumicës parlamentare nuk do të thotë automatikisht ndryshim i politikave shtetërore.
Për shqiptarët e Luginës, prova e vërtetë nuk do të jetë retorika e re politike, por gatishmëria e institucioneve serbe për të përmbushur detyrimet ekzistuese dhe për të siguruar barazi reale, përfaqësim institucional dhe zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh ai.
Duke diskutuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës, Hyseni theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe planeve të mëparshme, të cilat sipas tij kanë mbetur kryesisht pa rezultate konkrete.
Ai përmendi Planin e Shtatë Pikave, të miratuar nga Qeveria e Serbisë më 4 qershor 2013, si dhe Planin e Veprimit të vitit 2022, duke theksuar se çështja kryesore mbetet mungesa e zbatimit të tyre.
“Problemi thelbësor nuk është mungesa e dokumenteve, marrëveshjeve apo premtimeve institucionale. Problemi është hendeku i madh midis pranimit formal të këtyre dokumenteve dhe zbatimit të tyre në praktikë.
Qeveritë e Serbisë, duke përfshirë qeverisjen e deritanishme të Aleksandar Vuçiqit, kanë pranuar dokumente dhe kanë shprehur gatishmëri për trajtimin e problemeve të shqiptarëve, por rezultatet konkrete kanë qenë larg pritjeve.
Kjo situatë ka krijuar një deficit të madh besimi politik midis shqiptarëve dhe institucioneve të Beogradit.
Prandaj, deputetët shqiptarë duhet të kërkojnë nga shumica e re parlamentare një qëndrim të qartë për zbatimin e këtyre dokumenteve, me afate kohore, përgjegjësi institucionale dhe mekanizma të verifikueshëm realizimi”, deklaroi Hyseni.
Sipas tij, përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Serbisë duhet t’i fokusojnë kërkesat në pesë fusha prioritare: përfaqësim proporcional dhe integrim institucional, ndalim i pasivizimit të adresave, njohje e diplomave dhe barazi në arsim, zhvillim ekonomik dhe respektim i identitetit kombëtar e të drejtave kolektive.
Hyseni theksoi se shqiptarët ende hasin pengesa në përfaqësimin në administratën shtetërore, polici, gjyqësor dhe institucione të tjera publike.
Ai veçoi edhe pasivizimin e adresave të vendbanimit, duke kërkuar rishikim të rasteve të kontestuara, transparencë procedurale dhe mbrojtje efektive ligjore për qytetarët.
Lidhur me arsimin, ai nënvizoi nevojën për njohjen e diplomave të marra në universitetet e Kosovës dhe zhbllokimin e shpërndarjes së teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Në aspektin ekonomik, ai kërkoi një program serioz zhvillimor për tri komunat e Luginës, si dhe krijimin e një mekanizmi transparent për transferimin e mjeteve financiare të ndara nga Qeveria e Kosovës.
Duke folur për rrezikun e përsëritjes së premtimeve të parealizuara, Hyseni vlerësoi se përvoja e tri dekadave të fundit kërkon kujdes dhe një qasje më të organizuar nga përfaqësuesit shqiptarë.
“Përvoja politike e tri dekadave të fundit tregon se shqiptarët e Luginës kanë pasur shumë kontakte, marrëveshje, deklarata dhe premtime nga përfaqësuesit e pushtetit në Beograd, por shumë pak rezultate të qëndrueshme.
Prandaj, ekziston një rrezik real që edhe këtë herë, në emër të një klime të re politike, të krijohen pritje të mëdha që më vonë mund të shndërrohen në zhgënjim.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që dialogu duhet refuzuar!
Përkundrazi, dialogu është instrument i domosdoshëm i politikës demokratike. Por ai duhet të zhvillohet mbi bazën e reciprocitetit të përgjegjësive, transparencës dhe rezultateve të matshme”, theksoi ai.
Hyseni shtoi gjithashtu se deputetët shqiptarë nuk duhet të japin mbështetje automatike për asnjë qeveri pa marrë më parë zotime të qarta për çështjet jetike të komunitetit që përfaqësojnë.
Në fund, ai theksoi se barazia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të jetë një nga testet kryesore të demokracisë dhe orientimit evropian të Serbisë.
“Dialogu pa zbatim të marrëveshjeve është vetëm një formë tjetër e shtyrjes së problemeve. Bashkëpunimi pa barazi është partneritet i pabarabartë, ndërsa premtimet pa përgjegjësi institucionale janë thjesht iluzione politike.
Sfida e shumicës së re parlamentare në Serbi është të provojë se ndryshimi politik sjell edhe ndryshim të kulturës shtetërore dhe të marrëdhënieve me pakicat kombëtare.
Ndërsa sfida e përfaqësuesve shqiptarë është që këtë moment të ri politik ta kthejnë në një proces të organizuar, të koordinuar dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.
Në fund të fundit, barazia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është çështje e vullnetit të mirë të ndonjë qeverie në Beograd, por detyrim demokratik, kushtetues dhe evropian i shtetit të Serbisë”, përfundoi Hyseni për “Bota Sot”.







