Mark Epstein, vëllai i Jeffrey Epstein, ka bërë publike fotografitë e plota të autopsisë dhe të qelisë ku u gjet i pajetë financieri amerikan, duke rikthyer në qendër të vëmendjes misterin që rrethon vdekjen e tij në vitin 2019.
Këto pamje kanë rindezur debatet mbi rrethanat e vdekjes së Epstein, i cili u gjet pa jetë në gusht të vitit 2019, vetëm disa javë pas arrestimit të tij me akuza për trafikim seksual të të miturve.
Të lidhura
None found
Sipas asaj që raporton Daily Mail, fotografitë shfaqin shenja të errëta dhe të skuqura në të dyja anët e qafës së Epstein, si dhe një dëmtim që shtrihet deri pranë veshit. Këto dëmtime janë bërë objekt i analizës së ekspertit mjekoligjor Michael Freeman.
Freeman, i cili i ka shqyrtuar fotografitë që prej nëntorit të vitit 2025, pretendon se forma dhe mënyra se si janë shpërndarë dëmtimet nuk përkojnë me skenarin e një vetëvarjeje.
“Modeli, shpërndarja dhe numri i lartë i dëmtimeve nuk mund të shpjegohen me një varje vetëvrasëse,” u shpreh ai për “New York Times”.
Në një intervistë tjetër për CBS, eksperti shtoi se shenjat në qafë kishin një pamje jo karakteristike për një rast varjeje.
“Kur i pamë fotografitë, kjo nuk ishte ajo që prisnim të shihnim,” deklaroi ai.
Sipas Dr. Freeman, një nga pikat kyçe është forma në trajtën e shkronjës “Y” e shenjave në qafën e Epstein. Ai argumenton se kjo formë nuk është tipike për dëmtimet që shkakton një vetëvarje.
Gjithashtu, eksperti tërheq vëmendjen te prania e dy shenjave të dallueshme në qafë, të cilat, sipas tij, kanë kënde të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Gjatë një vetëvarjeje nuk ka asnjë mekanizëm që të krijojë një shenjë të dytë më poshtë,” argumentoi Freeman.
Një tjetër element që ai e sheh si thelbësor është një copë pëlhure portokalli e grisur, e gjetur në qelinë e Epstein. Ai bën me dije se bëhej fjalë për një lidhëse të ngushtë, me dy nyje dhe në formë laku, e cila mund të ketë ushtruar presion në pjesën e pasme të qafës. Sipas Freeman, nëse kjo pëlhurë krahasohet me dëmtimet e dokumentuara, ajo mund të shpjegojë mënyrën se si u krijuan shenjat.
Ai përmendi edhe mundësinë e dëmtimeve në fytyrë dhe në shpatullën e majtë të Epstein, të cilat, sipas leximit të tij, mund të kenë lidhje me një përplasje fizike.
“Të gjitha të marra së bashku përputhen më shumë me një mbytje vrasëse nga pas, duke përdorur një lidhëse të ngushtë prej pëlhure me nyje,” përfundoi eksperti pas analizës së fotografive.
Vlen të theksohet se Dr. Freeman nuk e ka ekzaminuar personalisht trupin e Epstein dhe analiza e tij mbështetet vetëm te fotografitë e autopsisë dhe të vendit të ngjarjes.
Përtej imazheve të autopsisë, fotografitë e publikuara japin edhe një panoramë më të detajuar të qelisë ku Epstein kaloi orët e tij të fundit. Ato shfaqin ilaçe të shpërndara mbi krevatin e sipërm, çarçafë portokalli të grisur, një shapka burgu në dysheme dhe pajisjen CPAP që ai përdorte gjatë gjumit.
Në disa prej fotove shihet edhe një defibrilator, i përdorur gjatë tentativave për ta ringjallur pasi u gjet pa ndjenja. Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu një lidhëse në formë laku, ndërsa pranë saj duket një metër matës për të fiksuar përmasat. Në pamje të tjera, copa çarçafësh shfaqen të varura në shkallët e krevatit marinari.

Megjithatë, pretendimet e Dr. Freeman bien ndesh me konkluzionet zyrtare të mjekësisë ligjore. Dr. Kristin Roman, mjekja që realizoi autopsinë e Epstein, ka pohuar se ekzaminimi nuk zbuloi shenja përleshjeje dhe se në duart e tij nuk u gjetën dëmtime që të sugjeronin një konflikt fizik.
Ajo ka shpjeguar se dëmtimi i vërejtur në krahun e Epstein mund të jetë shkaktuar nga konvulsionet gjatë procesit të varjes. Sipas saj, frakturat e kërcit tiroide në qafë ishin në përputhje me një rast varjeje.
“Modeli i frakturave të tij ishte ai i një varjeje,” u shpreh Roman.

Ajo ka argumentuar se dëmtimet e shkaktuara nga presioni i vazhdueshëm gjatë varjes kanë një model të ndryshëm nga ato që vijnë nga shtrëngimi manual i qafës.

Kjo nuk është hera e parë që vihet në dyshim konkluzioni zyrtar për vdekjen e Jeffrey Epstein. Në vitin 2019, vëllai i tij, Mark Epstein, kishte punësuar patologun mjekoligjor Michael Baden për të shqyrtuar rastin. Edhe Baden kishte ngritur dyshime se dëmtimet e konstatuara mund të ishin më shumë në përputhje me një vrasje sesa me vetëvrasje.

Nga ana tjetër, ekzaminuesja zyrtare e mjekësisë ligjore e cilësoi vdekjen si vetëvrasje. Një raport i vitit 2023 nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Departamentin amerikan të Drejtësisë evidentoi një sërë dështimesh serioze në burgun Metropolitan Correctional Center.


Sipas raportit, neglizhenca, shkeljet dhe mangësitë në kryerjen e detyrave nga personeli i Byrosë së Burgjeve i dhanë mundësi Epstein të merrte jetën e tij.
Në fillim të vitit 2026, Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi gjithashtu rreth tre milionë dokumente që lidhen me çështjen Epstein, përfshirë orë të tëra filmimesh nga ambientet e burgut, në kuadër të përpjekjeve për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.


Sidoqoftë, as publikimi i dokumenteve dhe as pamjet e reja nuk i kanë shuar pikëpyetjet. Edhe gazetarja Julie K. Brown e Miami Herald, e cila me investigimet e saj në vitin 2018 ndihmoi në kthimin e çështjes Epstein në vëmendjen e autoriteteve, ka shprehur rezerva për rrethanat e vdekjes së tij. Ajo e ka përshkruar ngjarjen si “të çmendur” dhe ka thënë se “shumë gjëra nuk kanë kuptim”.

Jeffrey Epstein u gjet i pajetë më 10 gusht 2019 në qelinë e tij në Manhattan, ndërsa priste gjyqin për akuzat e trafikimit seksual të të miturve. Ai kishte pasur lidhje me figura të fuqishme të politikës, biznesit dhe botës së spektaklit, mes tyre Donald Trump, Bill Clinton dhe Andrew Mountbatten-Windsor.

Deri më sot, përfundimi zyrtar i autoriteteve amerikane mbetet vetëvrasja. Pretendimet e ekspertëve të pavarur dhe interpretimet e reja të fotografive nuk përbëjnë prova përfundimtare se Epstein është vrarë.







