Pas mungesës së Partisë Demokratike në mbledhjen e sotme të Komisionit për Reformën Zgjedhore, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se mazhoranca do të vazhdojë punën për përfundimin e reformës, pavarësisht nëse opozita merr pjesë apo jo.
Sipas Ballës, komisioni duhet ta mbyllë punën deri më 30 nëntor. Ai e akuzoi PD-në se po përpiqet ta pengojë procesin përmes bojkotit dhe se po hedh “shashka” në atë që e quajti një gjendje “vdekje politike”.
Të lidhura
None found
Balla tha se komisioni nuk ka arsye të ndërpresë punën për shkak të bojkotit. Ai i kërkoi PD-së të paraqesë aty të gjitha propozimet e saj, që ato të diskutohen, në vend që të përdorë të drejtën e vetos që, sipas tij, mazhoranca ia ka dhënë opozitës.
Megjithëse PS zotëron 3/5 e votave në Kuvend, Balla theksoi se opozitës i është njohur e drejta e vetos. Ai paralajmëroi se, nëse PD nuk kthehet në komision, socialistët mund t’i depozitojnë propozimet e tyre në Kuvend dhe t’i miratojnë me votat që kanë.
Ndër ndryshimet që mazhoranca kërkon të përfshijë në reformë, Balla përmendi përfaqësimin në këshillat bashkiakë, sipas një përpjesëtimi të caktuar, edhe të bashkive të vogla që u shkrinë gjatë reformës territoriale.
Një tjetër propozim i përmendur prej tij është rikthimi i numërimit të votave në qendrat e votimit, çka, sipas Ballës, do ta shkurtonte ndjeshëm kohën e shpalljes së rezultatit. Ai iu referua edhe një formule të vitit 2020 për depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
Sa u përket listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, Balla u shpreh kundër hapjes së tyre. Ai sqaroi se këtë qëndrim e mbante si deputet dhe si politikan me shumë vite përvojë.








