Qytetarët u mblodhën sërish këtë pasdite përpara Kryeministrisë në Tiranë, në vijim të protestave të përditshme kundër qeverisë së Edi Ramës. Tubimi nisi rreth orës 18:30, një ditë pas protestës kombëtare, e cila u shënua nga tensione dhe përplasje me policinë. Në mesin e pjesëmarrësve kishte studentë, të rinj dhe qytetarë.
Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe thonë se do të vazhdojnë të qëndrojnë deri në dorëheqjen e tij. Ata kundërshtojnë gjithashtu klasën e vjetër politike, duke i vendosur Edi Ramën dhe Sali Berishën në të njëjtin plan.
Të lidhura
None found
Studentët vijojnë të mos pranojnë thirrjet e përsëritura të kryeministrit për dialog. Sipas tyre, bisedimet me Ramën nuk janë të pranueshme, pasi ndaj tij kanë ngritur akuza për korrupsion dhe e akuzojnë se ka përdorur policinë për të ushtruar dhunë ndaj të rinjve gjatë protestave.
Megjithëse një ditë më parë pati përplasje dhe në tubime është shtuar prania e forcave të rendit, qytetarët u kthyen përsëri para Kryeministrisë për të vijuar protestën dhe kërkesat për ndryshim politik.








