Ditën e sotme, përmes një videomesazhi në rrjete sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh se pensionet në Shqipëri janë më të ulëta se në vendet e rajonit, ndërsa indeksimi mujor arrin vetëm në 900 lekë në muaj.
Tabaku theksoi se pensioni mesatar i fshatit në Shqipëri është rreth 125 euro, ndërsa ai i qytetit 209 euro.
Të lidhura
None found
Sipas saj, pensioni mesatar i fshatit është më i ulët se pensioni minimal në Kosovë, që arrin në 150 euro, si dhe më i ulët se pensioni mesatar në Bosnjë, prej 185 eurosh.
“Sot pensionet janë më të ulëta se pagat, ndërkohë që indeksimi është vetëm 900 lekë në muaj, ndryshe nga retorika dhe propaganda e qeverisë. Jo rastësisht sot pensionet mesatare ato të fshatit janë pothuajse 125 euro edhe është nën pensionin minimal të Kosovës që e ka 150 euro po as edhe të Bosnjës që e ka 185 euro pensionin mesatar të qytetit”, shtoi ajo.
Tabaku u shpreh gjithashtu se, pensioni mesatar i qytetit në Shqipëri është më pak se gjysma e pensionit minimal në Malin e Zi.
“Ne nuk krahasohemi dot as me rajonin dhe një nga shkaqet e kësaj situate sigurisht që është informaliteti i lartë, pasi çdo pensionist për pensionin e vet të pleqërisë ka vetëm 1.36 kontribute”, deklaroi Tabaku.
Ajo kritikoi politikat e qeverisë për pensionet, duke theksuar se mbi 800 mijë pensionistë përballen me vështirësi ekonomike.
“Një qeveri që gjen miliarda për një pakicë, ndërsa mbi 800 mijë pensionistë numërojnë lekët për të mbyllur muajin. Pas një jete pune, meritojnë dinjitet. Ky sistem u lë varfërinë”, u shpreh deputetja.








