KE i FFK-së vlerëson ecurinë e “Dardanëve”: Kosova mbetet brenda objektivave

Rezultatet që Përfaqësuesja e Kosovës ka regjistruar deri tani ishin një nga temat e trajtuara të mërkurën, gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku u shqyrtuan edhe shumë çështje të tjera.

Nga analiza e paraqitjeve të ekipeve kombëtare, KE i FFK-së arriti në përfundimin se Kombëtarja A vazhdon të jetë brenda objektivave të përcaktuara. Për përfaqësueset e grupmoshave të reja, ndërkaq, u theksua nevoja për përmirësimin e rezultateve, sipas njoftimit të federatës.

Të lidhura

None found

Një tjetër pikë e diskutimeve ishte pjesëmarrja e klubeve kosovare në garat evropiane. FFK-ja bëri të ditur se paraqitjet e tyre gjatë këtij edicioni u konsideruan të pakënaqshme, edhe në raport me sukseset e shënuara në edicionet e mëparshme.

Sa u takon garave në të gjitha kategoritë, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv vlerësuan se zhvillimi i tyre deri në këtë fazë ka qenë i kënaqshëm.

Gjendja financiare e klubeve mori gjithashtu vëmendje të posaçme në mbledhje. Sipas njoftimit, u cilësua i domosdoshëm zbatimi i kritereve më të rrepta në të ardhmen, me qëllim që të sigurohet qëndrueshmëria financiare dhe të përmbushen detyrimet ndaj futbollistëve.

Komiteti Ekzekutiv caktoi edhe datën për ceremoninë “Laureatët e Vitit 2026”. Më të dalluarit do të shpallen më 20 dhjetor, në orën 17:00, në hotelin “Emerald”.


Shtuar më 4.11.2026 20:55