Tensionet mes “Plisave” dhe “Intelektualëve” në Gjilan, lëndohen tre policë

Tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime gjatë ndërhyrjes për të parandaluar një përplasje mes “Plisave”, tifozëve të Prishtinës, dhe “Intelektualëve”, tifozëve të Dritës, të mërkurën në Gjilan.

Ngjarja ndodhi më 4 nëntor 2026, rreth orës 13:50, jashtë stadiumit të Gjilanit. Në stadium po luhej derbi Drita–Prishtina, në kuadër të Albi Mall Superligës.

Të lidhura

None found

Gjatë pjesës së parë të ndeshjes, mbështetës të të dyja skuadrave tentuan të përlesheshin fizikisht. Njësitë policore ndërhynë për të penguar përshkallëzimin e situatës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, konfirmoi për Telegrafin se tre policët u lënduan gjatë ndërhyrjes dhe kërkuan ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan. Sipas raportit mjekësor, lëndimet e tyre janë të lehta trupore.

Osmani tha se Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.

Ndeshja përfundoi me fitoren 2-1 të Prishtinës ndaj Dritës. Blend Baftiu dhe Ardrian Hasani shënuan golat që i siguruan Prishtinës tri pikë të rëndësishme dhe ngjitjen në krye të tabelës së Superligës.


Shtuar më 4.11.2026 16:55