Gjatë prezantimit të pakos së zgjerimit në Komitetin e Punëve të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian, raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, i kërkoi Komisioneres Evropiane Marta Kos të angazhohet diplomatikisht për zgjidhjen e çështjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Waitz solli si shembull mënyrën se si Kroacia dhe Mali i Zi po trajtojnë çështjet e tyre dypalëshe. Ai falënderoi Kryeministrin Plenkoviç dhe Kryeministrin Spajiç për bisedimet, takimin në të njëjtën tryezë dhe gjetjen e zgjidhjeve. Sipas tij, mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet ta pengojnë në asnjë mënyrë përparimin në procesin e pranimit.
Të lidhura
None found
Ai u shpreh se ky rast tregon si mund të trajtohen përmes dialogut çështje të ngjashme edhe në vende të tjera, përfshirë Maqedoninë e Veriut.
Waitz vuri në dukje se disa prej çështjeve dypalëshe janë tashmë në nivel evropian dhe lidhen me përfshirjen e pakicave, ndaj ndryshimet kushtetuese duhet të zbatohen. Megjithatë, ai tha se bllokimi mund të kapërcehet vetëm nëse qeveritë e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ulen e bisedojnë. Duke theksuar se motivimi për këtë nuk është gjithmonë i lartë, ai i kërkoi Kos të bëjë përpjekje diplomatike në këtë drejtim.
Më herët, Kos kishte paraqitur pakon e zgjerimit për vitin 2026, ku përfshihen raportet e Komisionit Evropian për dhjetë vendet kandidate për anëtarësim në BE. Ajo theksoi se secili kandidat mund t’i bashkohet grupit të vendeve që po ecin me shpejtësi dhe se BE-ja i nxit të gjithë të zgjedhin këtë rrugë.
Për Maqedoninë e Veriut, Kos tha se Qeveria po tregon angazhim ndaj reformave dhe agjendës së reformave. Ajo deklaroi se Komisioni Evropian do të vijojë ta mbështesë vendin në rrugën drejt BE-së dhe se synimi mbetet hapja e grupit të parë sapo të përmbushen kushtet. Sipas saj, Maqedonia e Veriut duhet të përfundojë ndryshimet kushtetuese, siç përcaktohet në përfundimet e Këshillit të 18 korrikut 2022, dhe hapi i radhës tani varet nga vendi.








