Paris Jackson kërkon 600 milionë dollarë nga pasuria e Michael Jackson, 17 vite pas vdekjes së tij

Paris Jackson i është drejtuar gjykatës për mënyrën se si po administrohet pasuria e babait të saj, Michael Jackson. Ajo kërkon kalimin e 600 milionë dollarëve në një fond familjar që do të jetë në përfitim të saj dhe të dy vëllezërve, Prince dhe Bigi Jackson.

Mosmarrëveshja për pasurinë e mbretit të pop-it rikthehet në gjykatë plot 17 vite pas vdekjes së tij. Paris, 28 vjeçe, thotë se fondi i krijuar për tre fëmijët nuk është financuar siç duhet, ndonëse të drejtat muzikore dhe marrëveshjet tregtare kanë sjellë ndër vite miliarda dollarë të ardhura për pasurinë e Michael Jackson.

Të lidhura

None found

Sipas saj, fëmijëve nuk u janë kaluar ende paratë që babai kishte parashikuar t’u linte trashëgim. Për këtë arsye, në kërkesën ligjore ajo kërkon transferimin e 600 milionë dollarëve në fondin nga i cili do të përfitojnë Paris, Prince Jackson dhe Bigi Jackson.

Administratorët e pasurisë i kanë kundërshtuar këto pretendime. Sipas raportimeve të “USA Today”, ata e quajnë një “trillim i plotë” akuzën se pagesat u janë mbajtur fëmijëve dhe thonë se më shumë se 200 milionë dollarë janë shpërndarë tashmë në përfitim të tyre.

Përfaqësuesit e pasurisë thonë se gjendja financiare është ndërlikuar edhe nga një mosmarrëveshje e madhe me autoritetet tatimore amerikane. Pretendimi për detyrime, përfshirë taksat dhe penalitetet, arrin në rreth 700 milionë dollarë.

Në një deklaratë të publikuar më 3 nëntor, ata njoftuan se kishin siguruar një vendim që e ulte ndjeshëm shumën e pretenduar. Megjithatë, mosmarrëveshja tatimore nuk është mbyllur përfundimisht dhe vlera mund të ndryshojë.

Kërkesa e Paris Jackson pritet të shqyrtohet nga gjyqtari më 4 dhjetor, kur përplasja me administratorët e pasurisë së të atit do të rikthehet në gjykatë.

Pasuria e Michael Jackson vijon të sjellë të ardhura të konsiderueshme shumë vite pas vdekjes së tij në vitin 2009. Krahas trashëgimisë artistike, vëmendja mbetet edhe te mosmarrëveshjet për administrimin dhe shpërndarjen e saj.


Shtuar më 4.11.2026 13:14