Faton Peci: Identifikimi i tre intelektualëve të zhdukur, dhimbje për Mitrovicën dhe Kosovën

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pas konfirmimit të identitetit të Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë nga regjimi serb në prillin e vitit 1999.

Përmes një postimi në Facebook, Peci ka shprehur ngushëllimet për familjet e tyre dhe ka theksuar se tragjedia e këtyre intelektualëve është një dhimbje që prek jo vetëm të afërmit, por edhe Mitrovicën dhe mbarë Kosovën.

Të lidhura

None found

Ai ka rikujtuar se gjatë prillit të vitit 1999, regjimi serb rrëmbeu dhe zhduku intelektualë shqiptarë, me synimin për të heshtur mendjen, dijen dhe zërin e një populli që luftonte për liri.

Sipas Pecit, identifikimet e fundit kanë konfirmuar fatin e Adem Ademit, Fatmir Fazliut dhe Ali Halitit, të cilët ishin pjesë e grupit të intelektualëve të zhdukur.

Peci u ka shprehur familjeve ngushëllimet më të sinqerta, duke nënvizuar se dhimbja e tyre është dhimbje e të gjithëve.

Ai ka deklaruar gjithashtu se Serbia vijon të fshehë krimet dhe të vërtetën, ndërsa kërkesa për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe vendosjen e drejtësisë nuk do të ndalet.

“Ne nuk heshtim, nuk harrojmë dhe kërkojmë drejtësi!”, ka përfunduar reagimin e tij Faton Peci.


Shtuar më 3.11.2026 23:13