Aleanca kërkon hetim për importin e energjisë: Mbi 1 miliard euro nga paratë e qytetarëve u shpenzuan për rrymë nga jashtë

Mbi 1 miliard euro nga paratë e qytetarëve të Kosovës janë përdorur për blerjen e energjisë elektrike nga jashtë gjatë qeverisjes së Kurtit, ka deklaruar Aleanca në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Aleanca e sheh këtë shifër si tregues të dështimit dhe keqmenaxhimit në sektorin e energjisë. Ajo ka kritikuar mungesën e investimeve për shtimin e kapaciteteve prodhuese në vend, ndërsa varësia nga importi është rritur.

Të lidhura

None found

Sipas partisë, kjo situatë ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke rënduar buxhetet e familjeve kosovare.

Aleanca ka kërkuar hetimin e çdo dyshimi për keqpërdorim të parasë publike në këtë sektor, si dhe zbardhjen e asaj që ajo e quan “mafia energjetike”. Për këto çështje, partia ka bërë të ditur se ka ftuar interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Në reagim, Aleanca kërkon që skema që e cilëson të organizuar të zbardhet dhe degradimi të ndalet.


Shtuar më 3.11.2026 18:04