Ka ndërruar jetë këtë mëngjes në spitalin Maggiore të Parmës foshnja 7-muajshe që u helmua nga monoksidi i karbonit bashkë me prindërit e saj. E vogla nuk mundi t’u mbijetonte dëmtimeve të pësuara, ndërsa babai dhe nëna kishin humbur jetën më herët nga i njëjti helmim.
Tragjedia ndodhi në një shtëpi në Mezzani, në provincën e Parmës në Itali, natën mes së enjtes, 29 tetor, dhe së premtes, 30 tetor. Babai 35-vjeçar dhe nëna 32-vjeçare dyshohet se vdiqën teksa flinin.
Të lidhura
None found
Kur u gjet, vajza e tyre 7-muajshe ishte ende gjallë. Ajo u dërgua fillimisht në qendrën hiperbarike të spitalit në Vaio, në Fidenza, dhe më pas u transferua në terapinë intensive pediatrike të spitalit Maggiore të Parmës, ku nuk arriti të mbijetonte.
Të dhënat e para të hetimit ngrenë dyshimin se për ngrohjen e dhomës së gjumit familja kishte vënë në përdorim një sobë me dru. Hetuesit dyshojnë se pajisja ka lëshuar gazra helmues që sollën helmimin me pasoja fatale.
Mendohet se alarmin e dha djali 14-vjeçar i çiftit, pasi xhaxhai i tij nuk kishte mundur të lidhej me prindërit. Xhaxhai dhe të afërm të tjerë që gjendeshin në shtëpi gjithashtu u helmuan lehtë nga monoksidi i karbonit. Pasi morën trajtim mjekësor, ata dolën nga spitali, pasi gjendja e tyre nuk paraqiste rrezik të veçantë.
Me origjinë nga Senegali, familja banonte prej disa vitesh në zonën e Parmës. Ajo ishte zhvendosur së fundmi në shtëpinë në rrugën Bocca d’Enza, ku ndodhi ngjarja. Tragjedia ka tronditur thellë zonën, ndërkohë që autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur tërësisht rrethanat e helmimit.








