Pas disfatës 0-2 në Klasiken e Shqipërisë ndaj Vllaznisë në Shkodër, Tirana do të përballet nesër me Dinamon në derbin e kryeqytetit. Sfida e javës së 8-të të Superiores do të zhvillohet në orën 13:30, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Në konferencën për mediat, trajneri i bardhebluve, Dean Klafuriç, foli për përgatitjet e skuadrës.
“Synimi ynë në çdo ndeshje është fitorja. Pas një humbjeje, mënyra më e mirë për të reaguar dhe për të rikthyer besimin është të fitojmë sfidën e radhës. Çdo triumf ka të njëjtën vlerë, edhe pse një fitore në derbi mund të ketë një shije të veçantë.
Të lidhura
None found
Humbja ndaj Vllaznisë na ka trishtuar, por tani duhet të shohim përpara. Jemi të përgatitur për ndeshjen kundër Dinamos”, u shpreh Klafuriç.
Tekniku kroat theksoi gjithashtu vështirësinë që sjell mungesa e një fushe të qëndrueshme për Tiranën, veçanërisht në një përballje ku mbështetja e tifozëve ka rëndësi.
“Për ne nuk është një situatë e mirë, por nuk është as diçka e re. Për një klub të madh si Tirana nuk është pozitive të mos luajë në stadiumin e vet përpara tifozëve. Edhe futbollistët ndihen më mirë kur luajnë në fushën e tyre, ku e dinë se çfarë i pret dhe kanë mbështetjen e tifozëve.
E kemi analizuar takimin dhe e kuptojmë se çfarë ndodhi. Sa i përket rasteve të krijuara, paraqitja jonë nuk ishte aq e dobët, pasi patëm mundësi më të mira shënimi se Vllaznia, duke përfshirë edhe dy golat e realizuar prej saj.
Megjithatë, nuk arritëm t’i konkretizonim rastet tona. Ky është elementi kryesor ku duhet të përmirësohemi ndaj Dinamos: të shënojmë dhe të përfitojmë nga mundësitë që krijojmë”, deklaroi trajneri i Tiranës.







