SS United States, një prej anijeve më të njohura të historisë së udhëtimeve transatlantike, pritet të fundoset pranë Floridës dhe të shndërrohet në shkëmbin artificial më të madh në botë.
Anija oqeanike është 320 metra e gjatë. Në vitin 1952, gjatë udhëtimit të saj të parë, ajo vendosi rekord për shpejtësinë e kalimit të Oqeanit Atlantik.
Të lidhura
None found
Autoritetet e Qarkut Okaloosa bëjnë të ditur se fundosja parashikohet të kryhet në javën e dytë të nëntorit, në Gjirin e Meksikës. Vendi është rreth 22 milje detare, ose 41 kilometra, në jugperëndim të Destinit. Afati përfundimtar mund të ndryshojë në varësi të motit.
“Ky është një zhvillim i rëndësishëm drejt krijimit të një burimi unik si për mjedisin, ashtu edhe për industrinë tonë të turizmit”, thanë autoritetet lokale, duke nënvizuar pritshmëritë për ndikimin e projektit në rajon.
Edhe pse gjatë viteve janë bërë përpjekje për ta ruajtur anijen si pjesë të trashëgimisë detare, shpenzimet e mëdha të mirëmbajtjes dhe restaurimit e vështirësuan shpëtimin e saj.
Tashmë, SS United States do të shërbejë si habitat për organizmat detarë dhe synohet të ndihmojë në pasurimin e ekosistemit nënujor të zonës.
Nga simbol i lundrimit në atraksion për zhytësit
Shndërrimi i anijes në shkëmb artificial pritet ta bëjë atë një vend tërheqës për zhytësit dhe turistët që vizitojnë bregdetin e Floridës. Me kalimin e kohës, organizmat detarë pritet të vendosen në sipërfaqet e saj dhe të krijojnë një mjedis të ri për jetën nënujore.
SS United States do t’i shtohet një rrjeti rajonal me mbi 500 shkëmbinj artificialë. Këto struktura shërbejnë si habitate për lloje të ndryshme detare dhe si destinacione për zhytje.
Autoritetet vendore shpresojnë se anija historike do të tërheqë më shumë vizitorë, do të nxisë turizmin e zhytjes dhe do të sjellë përfitime ekonomike për komunitetin.
Pasi shkroi histori me kalimin rekord të Atlantikut, SS United States pritet të nisë një etapë të re nën det. Projekti synon të ndërthurë trashëgiminë detare me turizmin dhe krijimin e habitateve nënujore.





