Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, kërkoi më shumë transparencë nga Prokuroria lidhur me hetimin për plagosjen në sy të Erjon Vishkullit gjatë protestës. Sipas tij, publiku duhet të njoftohet për zhvillimet e çështjes.
Karamuço tha se hetuesit kanë krijuar tashmë një ide për atë që i ndodhi 28-vjeçarit. Ai shpjegoi se, përpara se të sekuestroheshin kamerat dhe armët, autoritetet kishin parë pamjet dhe kishin kryer matje e përllogaritje.
Të lidhura
None found
Eksperti shtoi se Prokuroria zotëron edhe informacione paraprake të siguruara në rrugë operative nga Italia. Për t’u përdorur si prova të vlefshme në hetim, këto të dhëna duhet të mbërrijnë përmes letërporosisë.
“Mund të them me përgjegjësi se prokurori e di aktualisht se çfarë ka ndodhur. Para se të merrte kamerat, i kishte parë pamjet bashkë me OPGJ-të. Edhe para sekuestrimit të armëve, dinte se ku ishte pozicionuar personi. Janë kryer matje dhe përllogaritje për trajektoren, goditjen që ka marrë dhe elemente të tjera. Këtë e di edhe nga rezultatet paraprake të operacionit në Itali, prej nga kanë ardhur informacione në rrugë operative. Megjithatë, ato duhet të përcillen me letërporosi që të marrin vlerën e provës së ligjshme dhe t’i shërbejnë hetimit.
“Informacionet operative kanë krijuar deri tani një tablo paraprake të hetimit, por duhet të bëhen publike. Prokuroria duhet të jetë më e hapur dhe të informojë opinionin për një çështje kaq të rëndësishme dhe të rëndë. Transparenca është një element thelbësor që duhet kërkuar nga organet ligjzbatuese dhe ato të akuzës, jo vetëm nga ekzekutivi. Në sistemin amerikan përdoret praktika e përditësimeve publike, veçanërisht për çështje të ndjeshme si kjo, ku bëhet fjalë për një të ri dhe rrezikun që ai të humbasë shikimin. Prokurori i çështjes, prokurori i rrethit, Prokurori i Përgjithshëm ose një zëdhënës i institucionit duhet të informojë publikun për veprimet e ndërmarra dhe gjetjet e deritanishme, për aq sa kjo nuk cenon hetimin”, u shpreh Karamuço.






