Humb jetën në punë në Itali 20-vjeçari shqiptar, u përmbys rulit gjatë asfaltimit të rrugës

Një aksident i rëndë gjatë punës në Valtopina të Italisë i ka marrë jetën 20-vjeçarit shqiptar Rogert Ajdini, i cili jetonte në Trevi.

Ajdini po merrte pjesë në asfaltimin e rrugës Santa Cristina, kur, sipas dyshimeve paraprake, ruliti asfaltues që po drejtonte u përmbys dhe e shtypi.

Të lidhura

None found

Kolegët e tij njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje shkuan ambulanca, zjarrfikësit dhe helikopteri i shpëtimit, por plagët e marra nga i riu rezultuan fatale.

Shkaqet e përmbysjes së mjetit të rëndë nuk janë përcaktuar ende. Karabinierët kanë nisur hetimet për të rindërtuar rrethanat dhe për të sqaruar se çfarë e shkaktoi aksidentin.

Punimet në rrugën Santa Cristina u ndërmorën nga Bashkia e Valtopinës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe iu besuan një kompanie të specializuar.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, i ka shprehur ngushëllimet familjes së të riut dhe e ka cilësuar humbjen si një tragjedi të rëndë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit fatal në vendin e punës.


Shtuar më 27.10.2026 21:19