Marshimi i qytetarëve në Tiranë u shoqërua me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë njoftoi se synon të forcojë ligjet që rregullojnë protestat, pas akteve të dhunës dhe dëmtimeve të pronës në tubimet e fundit.
Sipas medias franceze La Libre, paketa e prezantuar nga Rama përfshin gjoba deri në 5 mijë euro për pjesëmarrësit në grumbullime ku ushtrohet dhunë ose dëmtohet prona. Ajo parashikon edhe kufizimin, deri në 72 orë, të tubimeve në zona të caktuara kur paraqitet rrezik i menjëhershëm për dhunë.
Të lidhura
None found
Në projektligj përfshihen gjithashtu kompensime për bizneset e vogla që pësojnë dëme, si edhe masa ndaj personave që nxisin ose organizojnë pjesëmarrjen e nxënësve të mitur në protesta.
Protestuesit i kanë pritur me shqetësim njoftimet e kryeministrit, duke i konsideruar propozimet një përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës.
“Kthim në komunizëm”, kundërshtime ndaj masave të propozuara nga Rama
Në protestën e së dielës, dy pensioniste folën për shqetësimin e tyre se të drejtat e njeriut po cenohen. Njëra prej tyre vuri në diskutim përgjegjësinë e prindërve për veprimet e fëmijëve dhe kritikoi mungesën e përgjegjësisë politike për anëtarët e qeverisë që po hetohen.
Ajo foli edhe për vështirësitë financiare, duke treguar se merr një pension prej vetëm 180 eurosh.
Frida, 29 vjeçe, i cilësoi masat e paralajmëruara si të ngjashme me rikthimin në periudhën komuniste, para vitit 1990.
“Të censurosh llogaritë në internet që bëjnë thirrje për protesta, të arrestosh njerëz… kjo është si një kthim” në vitet e komunizmit, tha ajo, sipas medias franceze.
Edhe opozita ka shprehur kundërshtime. Belind Këlliçi, nënkryetar i Partisë Demokratike, i tha AFP-së se paketa synon të pengojë protestat dhe të vërë nën kontroll rrjetet sociale. Sipas tij, masat shkelin të drejtat themelore dhe nuk përputhen me vlerat e Bashkimit Evropian.
Në Tiranë, protestat janë shtuar që prej 13 tetorit. Ato janë pjesë e një lëvizjeje të nisur në maj kundër një projekti ndërtimi në një zonë të mbrojtur natyrore, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Mijëra njerëz, kryesisht të rinj, kanë protestuar kundër korrupsionit, kushteve të studimit në universitete dhe mënyrës së qeverisjes, duke kërkuar që Rama të largohet nga detyra.
Kryeministri, nga ana e tij, ka deklaruar se nuk mund të detyrohet të largohet me forcë dhe ka pretenduar se ka ndërhyrje nga jashtë.
Të dielën në mbrëmje, pranë Kryeministrisë pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Policia njoftoi se një ditë më parë kishte arrestuar 23 persona, kishte vënë 13 të tjerë nën hetim dhe kishte shpallur 30 persona në kërkim.
Autoritetet bëjnë të ditur se prej mesit të tetorit janë regjistruar mbi 300 të plagosur, si dhe një numër i përafërt personash të ndaluar.
Ndërsa qeveria paralajmëron shtrëngim të masave, qytetarët vazhdojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe të shprehin shqetësimin për të drejtën e protestës dhe mundësinë e kufizimit të lirive demokratike.






